
Për të gjashtën të shtunë radhazi, qytetarë të Vlorës janë rikthyer në protestë përpara kantierit të Muzeut Hebraik, në qendrën historike të qytetit. Ata kërkojnë ndalimin e punimeve dhe kundërshtojnë vendndodhjen e projektit. Gjatë tubimit, protestuesit akuzuan qeverinë se po cenon trashëgiminë historike dhe kulturore të Vlorës. Disa prej tyre përdorën edhe akuza më të forta, duke e cilësuar projektin si të lidhur me interesa politike dhe personale.
Përfaqësues të grupit nismëtar njoftuan se këtë javë kanë depozituar një padi në gjykatë për shkelje që pretendojnë se janë kryer gjatë realizimit të projektit. Sipas tyre, javën e ardhshme pritet një vendim paraprak mbi kërkesën për pezullimin e punimeve. Protesta u shoqërua edhe me momente tensioni. Disa pjesëmarrës tentuan të afrohen te kantieri dhe të rrëzojnë gardhin rrethues, por u ndaluan nga policia.