
Situata mbetet e tensionuar në zonën e Kryeministrisë dhe përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku policia ka shtuar praninë dhe ka pozicionuar edhe forcat RENEA.
Pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe ujit me presion, një pjesë e protestuesve është zhvendosur drejt Parkut Rinia për t’iu larguar ndërhyrjes së policisë.
Autobotët janë pozicionuar në të dy anët e urës, ndërsa efektivë ndodhen edhe brenda parkut. Në zonë janë hedhur tymuese, ndërsa policia ka dhënë urdhër për të përdorur edhe fishekë gome për shpërndarjen e turmës. Ndërhyrja ka vijuar me spraj me piper dhe ujë me presion, ndërsa efektivët kanë nisur shoqërimin e disa personave të pranishëm në protestë.
Tensionet janë zhvendosur edhe drejt rrugës “Myslym Shyri”. Në hyrje të saj, protestuesit kanë lëvizur kazanët e mbeturinave dhe u kanë vënë flakën, duke krijuar një barrikadë përballë forcave të policisë. Përplasjet vijojnë në disa pika të qendrës së Tiranës, ndërsa protestuesit lëvizin mes bulevardit, Parkut Rinia dhe rrugëve përreth.