
Një familje shqiptare është dënuar me burg në Britani për përfshirjen në një rrjet të organizuar të shpërndarjes së kokainës përmes rrjeteve sociale.
Sipas “Daily Mail”, Rezart Balesi 44 vjeç, i cilësuar nga gjykata si figura kryesore e grupit, u dënua me 7 vite e 6 muaj burg. Në burg përfunduan edhe djali i tij, Joshua Balesi, 22 vjeç, i dënuar me 4 vite dhe vëllai i tij, Refail Balesi, 39 vjeç, i cili mori 5 vite e 3 muaj burg.
Vendimi u dha në Manchester Crown Court, pas një hetimi të gjatë ndaj aktivitetit të grupit kriminal. Sipas provave të paraqitura në gjykatë, djali dhe vëllai i tij kontrollonin një linjë telefoni përmes së cilës merrnin porosi për kokainë. Më pas, porositë u përcilleshin shpërndarësve të besuar, të cilët kryenin dorëzimet. Gjykatësja e cilësoi aktivitetin si një “sipërmarrje tregtare dhe fitimprurëse”, ndërsa mesazhet e zbuluara treguan se grupi mund të fitonte deri në 9,000 paund në një natë.
Gjykatësja kritikoi ashpër Rezart Balesin për faktin se kishte përfshirë djalin e tij në aktivitetin kriminal. Në kohën kur Joshua u përfshi në këtë veprimtari, ai ishte vetëm 18 vjeç. Gjykatësja i tha Rezartit se për këtë veprim ai “duhet të ketë turp përgjithmonë”.
Prokuroria tha se ishte e vështirë të përcaktohej shkalla e plotë e aktivitetit, por provat treguan se në disa ditë kryheshin dhjetëra shitje kokaine. Një ekspert vlerësoi se rreth 790 gramë kokainë ishin shpërndarë gjatë një periudhe tre mujore. Në komunikimet e grupit përmendej gjithashtu blerja e kokainës në sasi të mëdha, me vlerë rreth 36,000 paund. Rrjeti kriminal besohet se ka funksionuar nga maji i vitit 2024 deri në mars 2026.
Në kuadër të të njëjtit hetim u dënuan edhe persona të tjerë të përfshirë në rrjet. Fatos Vrenezi, 53 vjeç, u dënua me 4 vite burg, ndërsa Lorenzo Canovi, 48 vjeç, me 37 muaj. Imanuel Lumaj, 30 vjeç, mori 3 vite e 9 muaj burg, ndërsa Fjoraldo Lukaj, 31 vjeç, u dënua me 3 vite e 6 muaj dhe do të përballet me dëbimin nga Britania. Antonino Precaj, 33 vjeç, u dënua me 27 muaj burg për rolin e tij në një tjetër komplot kriminal që lidhej me kultivimin e kanabisit dhe ku ishte i përfshirë edhe Joshua Balesi.
Hetimi u zhvillua nga North West Regional Organised Crime Unit. Inspektori Michael Robinson deklaroi se autoritetet kishin “çmontuar një grup të rëndësishëm të krimit të organizuar”, i cili po shkaktonte dëme të konsiderueshme në komunitetet lokale. Rezart dhe Refail Balesi u deklaruan fajtorë për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorisë A, ndërsa Joshua Balesi u deklarua fajtor për komplot për shpërndarjen e drogave të kategorisë A dhe B.