
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk do të ketë takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pa u miratuar në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deklarata e Hamzës erdhi pas mbledhjes së Kryesisë së PDK-së.
“Takim s’do të ketë derisa ligji të aprovohet në lexim të dytë. Për ne si PDK, për Kosovën, për të ardhmen, ligji është domosdoshmëri”, tha Hamza.
Ai theksoi se nëse projektligji ka kaluar në lexim të parë, atëherë mund të miratohet edhe në lexim të dytë.
Sa i përket zgjedhjes së presidentit, Hamza tha se PDK-ja është e hapur për diskutime pasi të përfundojë procesi i votimit të Ligjit për Specialen.
Sipas tij, mund të ketë një president përmes marrëveshjes politike, por ai duhet të ketë atributet dhe karakteristikat për ta përfaqësuar Kosovën në mënyrën më të mirë.