
4 shqiptarë kanë përfunduar në prangat e policisë spanjolle pasi akuzohen për kultivim kanabisi. Plantacioni i kanabisit u zbulua nga Garda Civile në një pyll në zonën e Hoya de Huesca-s.
Sipas mediave spanjolle, operacioni është zhvilluar më 17 tetor. Shqiptarët janë të moshave 36-50 vjeç dhe banonin në Barcelonë.
Bëhet e ditur se, agjentët konstatuan 72 bimë kanabis sativa që kishin lulëzuar, ndërsa në plantacion u gjetën edhe gjurmë që tregonin se më parë ishin korrur rreth 1.000 bimë.
Gjithashtu, në afërsi u zbulua një ambient i madh për tharjen e marijuanës, një tendë kampingu ku qëndronin të arrestuarit dhe një tjetër me depozita për ujitje, plehra dhe fertilizues të tretshëm në ujë, të përdorur për të nxitur rritjen e bimëve.
U gjetën gjithashtu pajisje për përpunimin, makineri për heqjen e kërcellit dhe degëzave, ventilatorë, një ngrohës industrial me ajër të nxehtë dhe një gjenerator për furnizimin me energji. Veç bimëve, u sekuestruan 220 kilogramë sytha marijuane, vlera e të cilave në treg arrin afërsisht 413.000 euro. /LAPSI.al