
Tenderi me vlerë rreth 1.09 miliardë lekë apo rreth 11.4 mln euro për mirëmbajtjen e akseve kryesore rrugore në rajonin qendror dhe verilindor të vendit është ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Procedura e zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), e cila u mbyll shtator, është kundërshtuar nga një operator ekonomik lidhur me vlerësimin e ofertave.
ARRSH e hapi tenderin në fjalë më 8 maj 2026, me objekt “Mirëmbajtje me performancë e akseve kryesore të Rajonit Qendror dhe Verilindor – Kontrata B”, me fond limit prej 1.09 miliardë lekësh, pa TVSH.
Kontrata parashikon mirëmbajtjen e rrugëve për një periudhë 48-mujore, ndërsa tashmë procedura është objekt shqyrtimi në KPP, pas ankesës së paraqitur për vlerësimin.
Rrugët që përfshin kontrata
Sipas relacionit teknik që shoqëron procedurën, kontrata përfshin gjithsej 294.1 kilometra rrugë, të ndara në 18 segmente, që shtrihen nga zona e Tiranës dhe Durrësit deri në Mat, Bulqizë dhe Peshkopi.
Ndër akset kryesore janë Tapizë–Fushë-Krujë–Thumanë, Fushë-Krujë–Rinas–Vorë, Qafë-Kashar–Rinas, Thumanë–Milot, Maminas–Lalëz–Shën-Pjetër, si dhe segmentet e autostradës Tiranë–Durrës dhe rrugës Durrës–Kavajë–Rrogozhinë.
Në pjesën verilindore, kontrata përfshin rrugët Skuraj–Burrel, Burrel–Qafë-Bualli, Qafë-Bualli–Ura e Topojanit dhe lidhjet drejt Peshkopisë.
Mirëmbajtja me performancë parashikon ndërhyrje në shtresat asfaltike, riparimin e bankinave, sinjalistikës horizontale dhe vertikale, barrierave mbrojtëse, sistemeve të kullimit dhe veprave të artit. Kontrata përfshin gjithashtu menaxhimin e trafikut gjatë punimeve dhe mirëmbajtjen dimërore në segmentet verilindore.
Relacioni teknik evidenton problematika të ndryshme në akset e përfshira. Në rrugën Sharrë–Ndroq–Plepa, shtresat asfaltike përshkruhen si të amortizuara, ndërsa sinjalistika ka nevojë për rehabilitim. Në segmentin Skuraj–Burrel evidentohen dëmtime të asfaltit, deformime dhe nevoja për ndërhyrje në muret mbajtëse.
Kontrata parashikon mirëmbajtje rutinë, punime rehabilitimi dhe ndërhyrje emergjente në rast dëmtimesh nga fenomene natyrore. Për disa segmente që janë pjesë e projekteve të tjera të investimit, mirëmbajtja do të zbatohet për periudha më të kufizuara.
Tenderi është pjesë e një pakete më të gjerë prej katër kontratash për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar. Fondi limit i përgjithshëm i marrëveshjes kuadër, në momentin e hapjes së procedurave, ishte 4.46 miliardë lekë, ose rreth 46.7 milionë euro, pa TVSH./ Monitor