
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të enjten në takim kryeministrin Albin Kurti, në takimin e parë mes tyre pas marrjes së detyrës së presidentes.
Pas takimit, Kurti deklaroi se institucionet e Kosovës duhet të bashkëpunojnë për përballimin e sfidave me të cilat përballet vendi, duke theksuar se pas një periudhe të gjatë të bllokadës politike nuk ka më kohë për të humbur.
“Takimi i parë me presidenten dhe mikpritje e zotim për punë të mëdha e të përditshme për interesin e gjithë qytetarëve, pa dallim. E falënderova shumë, e cila na nderoi me pranimin e saj të kandidaturës. Tash na presin shumë punë. Kosova, më në fund, pas më shumë se një viti ka institucione funksionale dhe tash nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të bëhemi bashkë për shumë sfida shtetërore që i kemi përpara”, deklaroi Kurti.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh presidente e Kosovës me 81 vota në Kuvend, në një votim të zhvilluar në mesnatën mes të martës dhe të mërkurës. Zgjedhja e saj u bë në fund të afatit kushtetues, i cili e përcaktonte 6 tetorin si datën e fundit për zgjedhjen e presidentit.
Kandidatura e Shiroka-Pulës u sigurua pas dakordimit politik mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Në vizitën e saj të parë pas marrjes së detyrës, presidentja Shiroka-Pula zhvilloi homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Ajo vizitoi gjithashtu varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe atë të veprimtarit Adem Demaçi.