
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se mbështetja e demokratëve për protestën studentore është e pakufizuar. Gjatë një interviste për Klan News, ai tha se strukturat e PD-së dhe forumi rinor janë pjesë e protestës që nga momenti i parë dhe do të qëndrojnë aty deri në fund, duke theksuar se kjo mbështetje nuk e dobëson lëvizjen studentore, por i jep më shumë forcë.
Në fjalën e tij, ai bëri të ditur se PD-ja ka shpallur dy parime për angazhimin e saj të cilat garantojnë mbështetjen e studentëve me të gjitha mundësitë, si dhe mbrojtjen e tyre. Ai akuzoi gjithashtu mbështetësit e kryeministrit Rama se po përpiqen të dobësojnë protestën përmes thirrjeve që barazojnë përgjegjësinë e qeverisë me atë të opozitës, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mashtruar opinionin publik.
‘Përkundrazi! Protestën unë e kam mbështetur sipas rregullave që ata (studentët) e përcaktuan vetë. Ne kemi shpall dy parime: parimi i parë të mbështesim studentët me potencialen tonë, parimi i dytë: të mbrojmë studentët. Jemi në origjinë në këtë protestë. Ne kemi strukturat e forumit rinor që janë aty që nga minuta e parë dhe ata do jenë aty deri në fund. Falangat e Edi Ramës, që janë aty për ta ‘vdekur’ protestën, dalin me tezën dhe thirrjen ‘Rama në burg’, ‘Berisha në burg’, nuk ka mashtrim më të madh se kjo që të thuash pozita dhe opozita janë njëlloj’, theksoi Berisha.