
Gjykata e Krimeve të Rënda në Romë ka dënuar Mark Antony Samson me burgim të përjetshëm. Më 25 mars 2025, ai vrau me thikë studenten 22-vjeçare shqiptare Ilaria Sula dhe më pas trupin e saj e futi në një thes duke e hedhur nga një shkëmb. I pandehuri, i cili e pranoi krimin, u akuzua për vrasje me dashje, me rrethana rënduese që përfshijnë paramendimin, motive banale, një marrëdhënie romantike me viktimën dhe fshehjen e kufomës.
Ngjarja ndodhi në apartamentin e Samson në Via Homs, në Romë. Pas sulmit, ai e zhduku trupin me ndihmën e nënës së tij, e cila arriti një marrëveshje për pranimin e fajësisë me një dënim prej 2 vitesh për akuzën e bashkëpunimit në fshehjen e kufomës. Trupi u gjet aty më 2 prill, pas një kërkimi që zgjati një javë.
"Drejtësia u vendos, por dënimi i vërtetë i përjetshëm është ai që po jetojmë unë dhe bashkëshortja ime. Ai ende merr frymë. Vajza ime nuk merr më frymë. Ky është një moment i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Gjithmonë kam pasur besim te sistemi i drejtësisë dhe nuk jam lënë vetëm për t'u përballur me këtë" - deklaroi Flamur Sula, babai i Ilarias, pas shpalljes së vendimit.
"Ky nuk ishte një krim i kryer nën ndikimin e momentit," dhe "Samson nuk ka shfaqur kurrë pendim për veprimet e tij, duke vazhduar të besojë se Ilaria Sula e meritonte atë fat," deklaroi prokurorja Maria Perna në sallën e gjyqit gjatë fazës së kundër-argumenteve.
"Ende mund ta përfytyroj trupin në greminë dhe gjendjen në të cilën ndodhej. Samsoni nuk e ka thënë kurrë të vërtetën; ai ka vazhduar të gënjejë për të shmangur pranimin se krimi ishte i paramenduar" - shtoi përfaqësuesja e prokurorisë.
Më 19 maj, Prokuroria Publike e Romës kërkoi burgim të përjetshëm për Samson. Gjatë fjalës përmbyllëse, prokurorët deklaruan se vrasja e Ilaria Sulës "ishte planifikuar dhe kryer me gjakftohtësi".
"Samsoni e tërhoqi Ilarian në një kurth në shtëpinë e tij. Ilaria u trullos nga grushtet dhe më pas u godit me thikë," shpjegoi zëvendësprokurori Giuseppe Cascini, duke shtuar se i riu "nuk tregoi asnjë mëshirë ndërsa e godiste me grushte e më pas me thikë. Ai nuk tregoi asnjë mëshirë kur e hodhi atë si të ishte mbeturina. Nuk tregoi mëshirë ndaj Ilarisë, duke e fyer dhe përçmuar edhe pasi e kishte vrarë. Nuk tregoi mëshirë as kur, pas vrasjes, shkoi të hante një “piadina”. Sipas prokurores Maria Perna, Samsoni është një individ "i mësuar të gënjejë, manipulues dhe hipokrit. Ai e kishte futur Sulën në një lidhje dhe ushtronte kontroll mbi jetën e saj", ndërsa vrasja ishte "një masakër".
Në sallën e gjyqit të sigurisë së lartë në Rebibbia, avokatët mbrojtës të Samsonit paraqitën argumentet e tyre. Ata pretenduan se rrethanat rënduese të theksuara nga Prokuroria Publike e Romës, konkretisht paramendimi, nuk gjejnë zbatim.
"Samsoni është padyshim fajtor dhe duhet të mbajë përgjegjësi" deklaroi Foti, "por krimi i tij ishte kryer nën ndikimin e momentit si pasojë e një zemërimi të papritur e shpërthyes, brenda një mendjeje që ishte tashmë e mjegulluar nga dehja."
Duke iu drejtuar gjykatës, avokati shtoi: "Kërkimi i së vërtetës dhe drejtësisë duhet të balancohet me mundësinë e rehabilitimit social – një mundësi që nuk duhet t'i mohohet askujt." Mbrojtja kërkoi gjithashtu që gjykata të marrë parasysh rrethana lehtësuese të përgjithshme, duke përmendur "moshën e tij, mungesën e precedentëve penalë, si dhe faktin se ai u përpoq të jepte informacione që ndihmuan në rindërtimin e detajeve të kësaj ngjarjeje tragjike". ©LAPSI.al