
Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj, është arrestuar mbrëmjen e së martës në Deçan, dy ditë pas kryerjes së krimit. Arrestimi u realizua rreth orës 23:40, pas një operacioni të ndërmarrë nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.
Pas arrestimit, Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në lokalizimin e të dyshuarit. Rrethanat e mëtejshme lidhur me rastin pritet të bëhen të ditura nga organet kompetente. Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan, ishte në arrati që nga 25 tetori. Policia e kishte shpallur në kërkim për veprën penale "Vrasje e rëndë" dhe u kishte bërë thirrje qytetarëve të ndihmonin në lokalizimin e tij.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit në Vitomiricë, Policia sekuestroi një pushkë gjuetie, 153 fishekë, disa karikatorë dhe pajisje arme, tri thika, një bajonetë, 115 gëzhoja dhe një sëpatë. Arlinda Zekaj, 49 vjeçe, u vra mbrëmjen e 25 tetorit, pak kohë pasi ishte kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunë në familje.