Flash

Plasin polemikat/ Trump fshin foton që tregonte si Jezusi

Lapsi.al 13 April 2026
Plasin polemikat/ Trump fshin foton që tregonte si Jezusi

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti të hënën se nuk ka ndërmend t'i kërkojë falje Papa Leonit XIV, të cilin e kritikoi ashpër dhe e përshkroi si "shumë të dobët".

“Papa Leoni tha gjëra që janë të gabuara. Ai ishte shumë kundër asaj që bëj unë me Iranin dhe ne nuk mund të pranojmë një Iran që ka armë bërthamore", - tha presidenti i SHBA-së nga Shtëpia e Bardhë, duke iu referuar deklaratave të Papës që bënin thirrje për t'i dhënë fund luftës në Iran.

Në postimet e tij, Trump akuzoi Papën, të parin Papë të lindur në SHBA, se ishte “i dobët ndaj krimit dhe i tmerrshëm në politikën e jashtme”. Ai gjithashtu pretendoi se “nëse nuk do të isha unë në Shtëpinë e Bardhë, Leoni nuk do të ishte në Vatikan”.

Të dielën, Trump postoi në Truth Social një imazh të vetes të gjeneruar nga inteligjenca artificiale si Jezusi. Imazhi mori reagime negative edhe nga qarqet konservatore në Shtetet e Bashkuara që tradicionalisht e mbështesin atë.

Këtë të hënë ai e fshiu postimin.

Në foto, Trump duket i veshur me një rrobë të bardhë me një pelerinë të kuqe, duke mbështetur dorën në ballin e një pacienti, i rrethuar nga njerëz që luten ose presin diçka, dhe në sfond një flamur amerikan, Statuja e Lirisë, avionë luftarakë, shqiponja dhe figura të tjera.

“Duhej të më tregonte si një mjek që i shëron njerëzit", - u justifikua Trump pasi e fshiu imazhin. Presidenti amerikan mohoi se imazhi kishte për qëllim ta portretizonte atë si Jezusin, duke e quajtur atë "lajm të rremë".

"Supozohet të më portretizojë mua si një mjek që i bën njerëzit më mirë, unë i bëj njerëzit më mirë", u tha ai gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pak pasi postimi u hoq.

Ndërkohë, kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti sot sulmin e Trump ndaj Papës "të papranueshëm", duke u bashkuar me politikanë të tjerë italianë që nxituan të mbronin kreun e Kishës Katolike.

Deklarata e Melonit, e cila mban lidhje veçanërisht të ngushta me presidentin e SHBA-së, tregon zemërimin që mbizotëron në Itali në lidhje me sulmet e Trump ndaj Papës.

"Mendova se deklaratat që kisha bërë më parë ishin të qarta, por e përsëris me më shumë qartësi. I konsideroj deklaratat e Presidentit Trump për Papën të papranueshme", theksoi ajo. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI