Flash

Mijëra rrënjë kanabis në banesë/ Dorëzohet në polici drejtori i burgut të Rrogozhinës

Lapsi.al 19 March 2026
Mijëra rrënjë kanabis në banesë/ Dorëzohet në

Merr një kthesë të re çështja e operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ku në një magazinë në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, u zbuluan rreth 4000 bimë kanabisi të kultivuara në ambiente të mbyllura me anë të llambave. Mediat raportojnë se drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa është dorëzuar në polici.

Sipas të njëjtave burime, Hasa ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura në njoftimin policor, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me veprimtarinë e paligjshme të zbuluar në godinë. Mësohet se ai ka pohuar se prej disa muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë që mund të ishte ushtruar aty.

Ndërkohë, një burim zyrtar policor ka bërë me dije se po hetohet edhe pista që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në objekt mund të jetë kryer nga vëllai i tij, i cili jeton në fshat.

Sipas njoftimit zyrtar të shpërndarë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë Elbasan.

Gjatë kontrolleve të ushtruara u zbuluan në bodrumin e një magazine dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 bimë kanabisi.

Po ashtu u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike, të cilat dyshohet se përdoreshin për mbajtjen në funksion të kësaj veprimtarie të paligjshme.

Nga veprimet e para hetimore, Policia bëri me dije se objekti rezulton në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, për të cilin fillimisht u shpall kërkimi.

Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, u shpall në kërkim edhe shtetasi me iniciale E. M., me detyrë përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit.

Operacioni “Kurtaj” vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa hetuesit po punojnë për të dokumentuar të gjithë skemën dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale çdo person të përfshirë. /BW

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI