Flash

Nuk ka të ndalur kolapsi i Euros: Prek minimumim historik, 95.89 lekë

Lapsi.al 6 March 2026
Nuk ka të ndalur kolapsi i Euros: Prek minimumim historik, 95.89 lekë
Kursi i këmbimit të Euros me Lekun e ka mbyllur javën në rënie të mëtejshme, duke thyer për herë të parë edhe kufirin e 96 lekëve. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 95.89 lekëve, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë. Rënia e kursit të këmbimit ka nisur të zgjerohet edhe me bazë vjetore. Krahasuar me një vit më parë, kursi Euro-Lek paraqitet në rënie me 3.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Agjentët e tregut valutor u shprehën për “Monitor” se rënia e Euros në ditët e fundit mund të shpjegohet kryesisht me këmbimet e shumta të kryera sidomos nga bizneset, që kanë konvertuar fonde të konsiderueshme nga Euro në Lek. Kjo ka rritur ofertën e monedhës europiane në tregun valutor dhe ka çuar në rënien e mëtejshme të kursit, në vijim të një tendence disavjeçare. Nga ana tjetër, aktorët shprehen se një nga arsyet që e ka ndikuar rënien e Euros është edhe një prani më e pakët e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Prej afërsisht dy vitesh, Banka Qendrore po blen sasi të mëdha të Euros, me qëllim ngadalësimin e tendencës rënëse të kursit. Kjo ndërhyrje është motivuar më së shumti me objektivin e inflacionit dhe me kufizimin e efektit deflacionist që vjen nga forcimi i Lekut. Por, në këtë periudhë duket se Banka e Shqipërisë po mban një qëndrim më të tërhequr dhe e ka lejuar kursin të ndjekë rrjedhën e tij normale. Kjo mund të shpjegojë pse rënia e Euros në javët e fundit duket të jetë përshpejtuar. Sipas të dhënave zyrtare, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Kjo është vlera më e lartë historike e blerjeve të Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për këtë periudhë të vitit. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës janë rritur me 52.2%. Ndërkohë, për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar t’i rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm dhe synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025. Megjithatë, në atë pjesë të blerjeve që lidhet me ndërhyrje direkte në tregun valutor, këtë vit duket se Banka e Shqipërisë po ndërhyn më pak, ndoshta duke ndjekur rekomandimet e bëra në fund të vitit të kaluar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). /Monitor

Burimi: Banka e Shqipërisë

Burimi: Banka e Shqipërisë

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

91.79

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI