Flash

Shpenzimet/ Edhe 3 milion euro shtesë për gjyqet me Beketin

Lapsi.al 8 December 2025
Shpenzimet/ Edhe 3 milion euro shtesë për gjyqet me Beketin

Beteja ligjore mes qeverisë shqiptare dhe sipërmarrësit italian Francesko Becchetti, e nisur një dekadë më parë, po rezulton një barrë e madhe financiare për buxhetin e shtetit. Pas vendimit fillestar të Gjykatës së Arbitrazhit të Bankës Botërore, ICSID, që në vitin 2019 dënoi Shqipërinë me 110 milionë euro, qeveria e Edi Ramës u përpoq ta rrëzonte këtë vendim në Apelin e Arbitrazhit në Paris. Por pak ditë më parë, edhe kjo gjykatë la në fuqi vendimin, duke vulosur dënimin më të madh financiar ndaj shtetit shqiptar në historinë e tij.

Rezultati nuk është vetëm gjoba e majme. Paçka se kryeministri Rama deklaroi publikisht në 2019 se nuk do t’i paguante Becchettit asnjë qindarkë, duke e quajtur “mashtrues” dhe “marifetçi”, beteja për të ndryshuar vendimin ka prodhuar një kosto të re dhe të rëndë: shpenzimet për avokatët ndërkombëtarë.

Vetëm përgjatë viteve të fundit, qeveria ka paguar mbi 3 miliardë lekë të vjetra, rreth 3 milionë euro, për shërbime ligjore. Në muajin nëntor 2025 janë kryer dy pagesa të reja me vlerë rreth 300 mijë euro, duke e çuar edhe më tej faturën e taksapaguesve.

Konflikti me Becchettin e ka origjinën në fund të vitit 2014, kur televizioni i tij, “Agon Channel”, u përplas me qeverinë për shkak të linjës editoriale. Sipas palës italiane, presioni politik i ushtruar nga autoritetet shqiptare u shoqërua me procedime penale të motivuara dhe aksione policore të orientuara për ta goditur sipërmarrësin. Becchetti u largua nga Shqipëria për t’i shpëtuar një urdhër arresti, duke iu drejtuar Arbitrazhit Ndërkombëtar për kompensim. Gjykata i dha të drejtë, duke konstatuar se veprimet e shtetit shqiptar i kishin shkaktuar dëme të konsiderueshme biznesit të tij.

Si pasojë e mosshlyerjes së gjobës, përmbaruesit ndërkombëtarë kanë ndërhyrë mbi pasuritë e shtetit shqiptar. Një prej masave më të rënda ka qenë bllokimi i dhjetëra milionë eurove të kompanisë publike Albcontrol, për të detyruar qeverinë të zbatojë vendimin e arbitrazhit.

Ky episod përmbledh një humbje të dyfishtë: jo vetëm një faturë e paprecedentë kompensimi, por edhe miliona euro të tjera të shpenzuara në përpjekjen e pasuksesshme për ta shmangur atë. Në fund, taksapaguesit shqiptarë po paguajnë koston e një lufte të humbur, të nisur për arsye politike dhe të ndjekur deri në fund nga qeveria, me çmimin më të lartë të mundshëm.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI