Flash

Ukraina mes luftës/ Dy ministra japin dorëheqje pas akuzave për korrupsionit

Lapsi.al 12 November 2025
Ukraina mes luftës/ Dy ministra japin dorëheqje pas akuzave për

Ministrja e Energjisë dhe ministri i Drejtësisë në Ukrainë kanë dhënë dorëheqje të mërkurën, njoftoi Qeveria, pas akuzave për përfshirje në një skandal të gjerë korrupsioni në sektorin e energjisë së vendit.

Hetuesit dyshojnë se një aleat kyç i presidentit Volodymyr Zelensky e ka orkestruar një skemë ryshfeti prej 100 milionë dollarësh për të përvetësuar fonde, gjë që ka shkaktuar zemërim publik në një kohë kur vendi po përballet me ndërprerje të mëdha të rrymës, për shkak të sulmeve ruse.

Ukraina është përballur kamotshëm me korrupsion, dhe lufta kundër korrupsionit shihet si një kusht i rëndësishëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Zelenskyy më herët kishte kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, German Galushchenko, i cili sipas hetuesve ka marrë “përfitime personale” nga skema, si dhe të ministres së Energjisë, Svitlana Grynchuk.

Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar zyrtarisht, dhe Grynchuk nuk është përmendur si përfituese e drejtpërdrejtë e skemës.

“Ministri i Drejtësisë dhe ministrja e Energjisë nuk mund të qëndrojnë më në detyrë”, tha Zelensky në një video të publikuar në rrjete sociale.

Pak më vonë, të dy paraqitën letrat e dorëheqjes, bëri të ditur kryeministrja e Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

Skandali ka shkaktuar reagime të forta mes qytetarëve ukrainas, të cilët po përballen me mungesa të shpeshta të ngrohjes dhe energjisë për shkak të bombardimeve ruse.

“Është neveritëse”, tha për AFP-në Davyd, i cili nuk dëshiroi ta tregonte mbiemrin.

“Ata po na shkatërrojnë neve, reputacionin tonë dhe të ardhmen tonë. Nuk do të kemi të ardhme nëse kemi njerëz të tillë të korruptuar”, shtoi ai, duke shprehur shqetësim se si do të ndikojë ky skandal tek mbështetësit kryesorë të Kievit në BE.

Akuzat lidhen me ryshfete nga kontrata që përfshijnë Energoatomin, operatorin shtetëror të energjisë bërthamore dhe furnizuesin më të rëndësishëm të energjisë elektrike në vend.

Grynchuk e zëvendësoi Galushchenkon në postin e ministres së Energjisë gjatë verës.

Parlamenti i Ukrainës duhet t’i miratojë zyrtarisht dorëheqjet e tyre.

Partia opozitare e ish-presidentit Petro Poroshenko ka kërkuar dorëheqjen e Qeverisë.

Këtë javë, autoritetet kundër korrupsionit kanë arrestuar disa persona në kuadër të operacionit.

Duke i urdhëruar ministrat të japin dorëheqjen, Zelensky tha se është “plotësisht e papranueshme që ende ekzistojnë skema (korrupsioni) në sektorin e energjisë”, ndërsa ukrainasit vuajnë çdo ditë nga ndërprerjet e energjisë.

Rusia ka goditur rrjetin energjetik të Ukrainës me sulme të vazhdueshme me dronë dhe raketa. Kievi i quan sulmet cinike dhe thotë se kanë për qëllim t’i lënë miliona ukrainas në errësirë dhe të ftohtë gjatë dimrit.

Sipas hetuesve skema e korrupsionit është orkestruar nga Timur Mindich, një ish-bashkëpunëtor biznesi i Zelenskyt.

Mindich është bashkëpronar i kompanisë së prodhimit Kvartal 95, e themeluar nga Zelensky kur ai ishte aktor komik, përpara se të hynte në politikë.

Mindich u largua nga vendi pak para se të bëheshin publike akuzat, të hënën, sipas shërbimit kufitar shtetëror.

Zelensky nuk ka komentuar për rolin e Mindich në këtë skemë, por kryeministrja Svyrydenko tha se po vendos sanksione personale ndaj tij dhe një tjetër biznesmeni të akuzuar, Oleksandr Tsukerman.

Kvartal 95, që prodhoi serialin televiziv “Shërbëtori i Popullit” të Zelenskyt, deklaroi se hetimet “nuk kanë lidhje me punën e studios”.

Skandali paraqet një provë të madhe për Zelenskyn, i cili është akuzuar për përqendrim të pushtetit dhe heshtjen e kritikëve pas pushtimit rus.

Më herët këtë vit, pati një reagim të madh nga publiku dhe nga Brukseli për përpjekjet e qeverisë për ta kufizuar pavarësinë e dy institucioneve kryesore kundër korrupsionit që po hetojnë dhe ndjekin këtë rast./REL

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI