Flash

REL: Eksperimenti italian me emigrantët, qendrat në Shqipëri pothuajse bosh

Lapsi.al 18 October 2025
REL: Eksperimenti italian me emigrantët, qendrat në Shqipëri

Një vit pasi Italia hapi qendrat për migrantët në Shqipëri, ku synohet të strehohen njerëzit e ndaluar në det, qendrat e kontestuara ligjërisht janë pothuajse bosh. Disa organizata joqeveritare kanë kritikuar kushtet e jetesës brenda qendrave, ndërsa gjykatat italiane kanë bllokuar disa përpjekje për dëbimin e migrantëve në Shqipëri.

Por, përderisa Bashkimi Evropian po diskuton për mundësinë që të krijojë “qendra të kthimit”, Qeveria italiane e ekstremit të djathtë është zotuar se do të dërgojë migrantë në qendrat jashtë, në Shqipëri.

“Shumë shqetësuese”

Më 16 tetor 2024, dy qendra u hapën në portin e Shëngjinit dhe në Gjadër, në veri të Shqipërisë. Ato menaxhohen nga Italia. Po të njëjtën ditë, dhjetëra kamera filmuan arritjen e anijes së parë të marinës italiane që barti 16 burra nga Egjipti dhe Bangladeshi, të ndaluar në det teksa po tentonin të arrinin në BE.

Identitetet e tyre fillimisht u verifikuan në port. Më pas, ata u dërguan në qendrën në Gjadër, ku mund të prisnin për shqyrtimin e kërkesës për azil, nëse do të paraqisnin kërkesë të tillë. Por, shumë shpejt, katër prej burrave u identifikuan si persona “të cenueshëm” dhe u kthyen mbrapsht në Itali.

Brenda dy dite, edhe 12 personat e tjerë u kthyen po ashtu, pasi një gjykatë italiane vendosi kundër paraburgimit të tyre. Gjykata përmendi mospajtime lidhur me listën e vendeve “të sigurta” të origjinës të hartuar nga Qeveria italiane, e cila përfshin shtete që nuk përmbushin kriteret ligjore evropiane.

Një vit më vonë, gjyqtarët italianë kanë refuzuar vazhdimisht dëbimet, duke ngadalësuar planet për vendosjen deri në 3.000 migrantëve në qendra. Sipas ekspertit ligjor, Gianfranco Schiavone, një raport i organizatave joqeveritare italiane gjeti se gjithsej 132 persona u dërguan në qendrat në Shqipëri.

Nga ta, vetëm 32 janë riatdhesuar, megjithëse nuk dihen me siguri se sa janë kthyer në Itali dhe sa janë dërguar në shtete të tjera. Po ashtu, është e vështirë që të merret një konfirmim zyrtar mbi detajet e programit dhe kushtet në qendra – autoritetet shqiptare i referuan pyetjet e AFP-së tek autoritetet italiane, të cilat nuk dhanë përgjigje në pyetjet specifike për këtë skemë.

“Situata është shumë shqetësuese për shkak të vështirësive ekstreme që kanë të ndaluarit për të ushtruar të drejtat e tyre themelore në përgjithësi”, tha Schiavone.

Sipas një raporti të një grupi të OJQ-ve, të paktën nëntë persona tentuan të vetëvriteshin teksa po mbaheshin në qendra dhe po ashtu janë regjistruar 21 raste të vetëlëndimeve.

“Eksperimenti italian”

Në mes të betejave të vazhdueshme ligjore, Italia planifikon t’i përdorë këto qendra si objekte ndalimi për personat që presin të dëbohen, pasi autoritetet italiane tashmë i kanë shpallur emigrantët si “të paligjshëm”. Schiavone tha se edhe kjo përpjekje ka gjasa të bllokohet po ashtu nga gjykatat evropiane.

“Nuk ka ndonjë dispozitë që lejon ndalimin administrativ të të huajve që presin dëbimin nga Italia që ky proces të kryet në një vend që nuk është anëtar i BE-së”.

Por, kjo mund të ndryshojë brenda muajsh nëse “rregullorja për kthim”, e cila aktualisht po diskutohet në Parlamentin Evropian, miratohet: kjo kornizë ligjore do të hapte rrugë për krijimin e qendrave për migrantë jashtë kufijve të BE-së.

Që nga zgjedhja e saj më 2022, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e ka bërë luftën kundër migrimit të parregullt një nga prioritetet kryesore të qeverisë së saj. Legalizimi i atij që po cilësohet si eksperiment i Melonit do të ishte një fitore e rëndësishme politike për partinë e saj të ekstremit të djathtë, Vëllezërit e Italisë.

Por, Filippo Furri, nga organizata joqeveritare ARCI, tha se shpreson që BE-ja ta rishqyrtojë këtë qasje dhe ta konsiderojë atë si “të paligjshme dhe ekonomikisht të paqëndrueshme”. Ndërkaq, rreziku për njerëzit që migrojnë është që “ky eksperiment italian të përhapet edhe në shtete të tjera”, tha ai.

Gjatë një vizite të zhvilluar në Shqipëri në muajin maj, kryeministri britanik, Keir Starmer, shprehu dëshirën e tij për të krijuar “qendra të kthimit”. Por, homologu i tij shqiptar, Edi Rama, u tregua hezitues për nisjen e një tjetër programi në shtetin e tij dhe tha se modeli italian “duhet kohë që të testohet”.

“Nëse funksionon, mund të replikohet. Por, jo në Shqipëri, diku tjetër në rajon”, tha Rama./REL

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI