Flash

Von der Leyen: Bosnja të emërojë kryenegociatorin që t’i fillojë negociatat me BE-në

Lapsi.al 15 October 2025
Von der Leyen: Bosnja të emërojë kryenegociatorin që

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 14 tetor në Sarajevë se prioritet është mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare, për çka është e nevojshme të emërohet kryenegociatori. Ajo theksoi se zgjedhja e personit që do ta mbajë këtë rol i takon institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës, por se më e rëndësishmja është që emërimi të bëhet sa më parë, në mënyrë që të mund të fillohet menjëherë me aktivitetet e nevojshme.

Vizita e saj u zhvillua menjëherë pas vendimit të Këshillit të Ministrave, më 30 shtator, për të miratuar Draftin e Agjendës së Reformave, dokument që ka rëndësi vendimtare për tërheqjen e rreth 900 milionë eurove kredi të favorshme dhe grante nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Në konferencën për shtyp, pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, von der Leyen kujtoi se “para një viti e gjysmë Këshilli Evropian mori një vendim historik për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Bosnjë e Hercegovinën”. Ajo shtoi se Bosnja dhe Hercegovina ka bërë një rrugë të gjatë dhe se vendi sot qëndron në prag të Bashkimit Evropian.

“Ju përgëzoj për Agjendën e Reformave, dhe tani është radha jonë ta vlerësojmë atë; në hapin e ardhshëm do të duhet të shkojmë drejt finalizimit për miratimin e fondeve”, theksoi presidentja e Komisionit Evropian.

Ajo theksoi se e ardhmja e të gjitha komuniteteve në Bosnjë e Hercegovinë është në Bashkimin Evropian, duke shtuar se zgjerimi “nuk është vetëm çështje politike, por edhe çështje zemre, vullneti dhe zëri të popullit”.

“Sipas një ankete të fundit të opinionit publik, 72 për qind e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës kanë besim tek Bashkimi Evropian. Brezat e rinj duan të jetojnë në një Evropë të bashkuar, dhe detyra jonë është t’ua bëjmë këtë të mundur”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Borjana Krishto, shprehu shpresën se “do të ketë përgjegjësi politike kur bëhet fjalë për rrugën evropiane të vendit”, duke theksuar se “në këtë proces nuk duhet të ketë ndarje mes pozite dhe opozite, por përkushtim të përbashkët ndaj Bashkimit Evropian”.

Krishto gjithashtu njoftoi se e kishte informuar presidenten e Komisionit Evropian për përgatitjet e zhvillimit të Procesit të Berlinit, që do të mbahet javën e ardhshme. “Fatkeqësisht, ende nuk kemi arritur të harmonizojmë një marrëveshje mbi lëvizshmërinë, përkatësisht për qarkullimin me karta identiteti”, shtoi ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian më herët është takuar edhe me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës – Zhelko Komshiq, Zhelka Cvijanoviq dhe Denis Beqiroviq.

Para mbërritjes në Sarajevë, ajo vizitoi edhe Qendrën Përkujtimore Potoçari pranë Srebrenicës. Siç deklaroi, “Bashkimi Evropian do ta kujtojë gjithmonë gjenocidin e Srebrenicës dhe nuk do të lejojë që të shkruhet një histori e re për të”./REL

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI