Flash

E paprecedentë/ BIRN: Presidenti "urdhëron" Kushtetuesen që të zhbëjë vendimin e saj

Lapsi.al 15 October 2025
E paprecedentë/ BIRN: Presidenti "urdhëron" Kushtetuesen

Në një akt të paprecedentë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i kërkoi me tone urdhëruese Gjykatës Kushtetuese që të zhbëjë vendimin për pezullimin e dekretit të tij për zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, duke e quajtur atë si antikushtetues dhe të pabazuar në praktikën e mëparshme.

Të mërkurën, zyra e shtypit e Presidencës shpërndau për mediat “mbrojtjen ligjore” të kreut të shtetit si “palë e interesuar” në çështjen me ankimues Erion Veliaj, i cili kundërshton shkarkimin si kryetar bashkie nga Këshilli i Ministrave.

Në këtë dokument të hartuar për Gjykatën Kushtetuese, Presidenti merr përsipër të kundërshtojë si ‘antikushtetues’ vendimin e kësaj gjykate për të pezulluar një dekret kontrovers të tij, ku caktonte mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, pavarësisht se kryebashkiaku Veliaj kishte dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese.

Padia e Veliajt bazohej në nenin 115 të Kushtetutës, i cili parashikon qartë se vendimi i shkarkimit pezullohej në momentin e ankimimit. Megjithatë, Begaj e futi Presidencën në një kurs përplasje me Gjykatën Kushtetuese, pasi i kërkon që të deklarojë “moskompetencën” për shqyrtimin e dekretit të tij si dhe heqjen e pezullimit për dekretin.

Po ashtu, presidenti merr përsipër që t'i kërkojë Gjykatës Kushtetuese që të rrëzojë kërkesën e Veliajt si të pabazuar në nenin 115 të Kushtetutës dhe të shpallë një datë të shpejtë zgjedhjesh në Tiranë.

“Në vlerësimin tonë si palë e interesuar, vetëm një procedim i tillë mund të rikthejë kushtetutshmërinë e këtij procesi ankimor, të cenuar në mënyrë arbitrare nga vetë Gjykata Kushtetuese,” thuhet në argumentet e Presidencës.

Në të gjithë parashtesën e përgatitur për seancën gjyqësore të datës 31 tetor, ku do të vendoset për ligjshmërinë e shkarkimit të Veliajt nga qeveria, Presidenti përdor një gjuhë që synon të intimidojë Gjykata Kushtetuese në vendimmarrjen e saj.

Në një nëndarje të dokumentit me titull “Gjykata Kushtetuese ka detyrimin të respektojë jurisprudencën e saj”, Presidenti i sugjeron kësaj gjykate që të ruajë praktikën e saj vendimmarrëse duke aluduar se po e shkel atë.

“Gjykata Kushtetuese nuk mund ta lexojë Kushtetutën “rast pas rasti” dhe të hedhë në kosh vendimet e veta të mëparshme sa herë që konstatimet, arsyetimet, përkufizimet dhe referencat e paraqitura në to nuk i vlejnë për konstruktin artificial që ajo kërkon t’i japë çështjes së fundit që ka në dorë,” thuhet në dokument.

Presidenti po ashtu merr përsipër të analizojë jo vetëm vendimmarrjen, por edhe sjelljen e Gjykatës Kushtetuese duke akuzuar për “vetëizolim” ndaj argumenteve të palëve të interesuara.

Begaj pretendon gjithashtu se Kushtetuesja nuk e ka kompetencën ligjore që të shqyrtojë këtë ankimin të Veliajt dhe e quan vendimin e saj të njëanshëm.

“Ky vendim i mbledhjes së Gjyqtarëve është antikushtetues dhe duhet të korrigjohet menjëherë. Gjykata Kushtetuese duhet të riçelë diskutimin për legjitimimin dhe të rivendosë për të pasi të ketë dëgjuar edhe argumentet e palëve të interesuara përpara se të procedojë me çdo hap tjetër,” shkruan Presidenti.

Dokumenti që ngjan më shumë si ‘sulm’ publik ndaj Gjykatës Kushtetuese u publikua vetëm pak orë pasi opozita ndërmori një hap zyrtar, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra për shkelje të rënda kushtetuese, mes së cilave pranimin e pagesave nga një spital privat si dhe lidhjen e kontratave të sigurimit me kompaninë ku punonte i biri. /Reporter.al

Të këshilluara

Rama bën disa ndryshime në qeveri (Emrat)

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, janë bërë disa ndryshime në përbërjen e institucioneve. Kryeministri Edi Rama ka firmosur emërimin në detyrë...

17:15

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI