Flash

Osmani akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale në Kosovë

Lapsi.al 9 October 2025
Osmani akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn drejtpërdrejtë në zgjedhjet lokale që do të mbahen në vend më 12 tetor. Osmani i bëri këto deklarata gjatë takimit që zhvilloi me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

“Presidentja Osmani vuri theks të veçantë te ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës”, u tha në njoftimin e Presidencës kosovare.

Osmani bëri thirrje për angazhim në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor, duke “dënuar ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar”.

“Ajo gjithashtu u bëri apel të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës”, u tha në njoftim.

Dy ditë më parë, edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e akuzoi Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet e 12 tetorit, përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare.

Kurti deklaroi se veprimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe të aktorëve të tjerë serbë, shtetërorë dhe joshtetërorë, “nuk mund të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë”.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, deklaroi ai.

Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që ta sanksionojë Serbinë për këto veprime.

Gjatë fundjavës, Vuçiq deklaroi për mediat serbe se “ne do t’i hapim 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë”.

“Kjo është diçka shumë e madhe për Kosovën, dhe ne do ta bëjmë këtë brenda dhjetë ditëve të ardhshme, në mënyrë që njerëzit ta dinë se ne do të kujdesemi gjithmonë për të”, tha Vuçiq.

Vuçiq, por edhe zyrtarë të tjerë në Serbi, po ashtu kanë bërë thirrje që serbët në Kosovë të votojnë Listën Serbe – partinë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Serbia u akuzua edhe për ndërhyrje në zgjedhjet e përgjithshme të shkurtit, dhe misioni vëzhgues i BE-së tha asokohe se Serbia kishte ndërhyrë në zgjedhje përmes trysnisë ndaj votuesve serbë në Kosovë.

Serbia u akuzua edhe nga Gjermania për ndërhyrje në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë. Në zgjedhjet e 12 tetorit, Lista Serbe pritet ta rimarrë pushtetin në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Në zgjedhje garojnë edhe katër parti të tjera serbe, por edhe disa iniciativa qytetare.

Katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës - Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku - udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, pasi në nëntor të vitit 2022, të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si reagim ndaj vendimit të autoriteteve kosovare për t’i hequr targat serbe të makinave.

Me kërkesën e Listës Serbe, serbët në këto komuna bojkotuan zgjedhjet e prillit të vitit 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë. Në vitin pasues, serbët bojkotuan edhe votimin për shkarkimin e këtyre kryetarëve. Serbia ndan të ardhura nga buxheti shtetëror për pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë. Këtu përfshihen paga, pensione, shtesa për fëmijë dhe ndihma të tjera financiare./REL

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

91.79

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI