Flash

Profil/ Kush ishte Astrit Kalaja, gjyqtari që u vra në sallën e gjyqit

Lapsi.al 6 October 2025
Profil/ Kush ishte Astrit Kalaja, gjyqtari që u vra në sallën e

Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në vitin 1993 në fakultetin e Drejtësisë. Me një karrierë 32-vjeçare në sistemin e drejtësisë në vend, ai u emërua për herë të parë magjistrat në Shkodër, më 24 nëntor 1993.

Nga ky vit, deri më 2004, ai punoi si gjyqtar i Gjykatës së Rrethit, Shkodër. Në qershor të vitit 2004, deri në janar 2023, Kalaja ishte gjyqtar i Gjykatës së Apelit, qarku Shkodër, ku ka mbajtur edhe pozicionin e zv. Kryetarit. Më pas u transferua në Apelin e Përgjithshëm në Tiranë.

Ai ka pasur disa dosje të bujshme në Apel, ndërsa në vitet 2005-2006 dhe 2007-2009 ka pasur vlerësimin "Shumë mirë" për etikën dhe veprimtarinë profesionale, ndërsa gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka pasur asnjë masë, disiplinore.

Që nga viti 2023, 62-vjeçari ushtronte detyrën si Gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Ai iu nënshtrua procesit të vettingut dhe kaloi në të dyja shkallët si i pastër në të treja shtyllat e rivlerësimit. Në vitin 2019, Kalaja u konfirmua nga KPK, ndërsa edhe pasi komisioneri publik kërkoi shkarkimin e tij nga detyra, pasi pretendonte se gjyqtari nuk ka bërë deklarimin e mjaftueshëm të një apartamenti, e të një sipërfaqe toke, në vitin 2022, gjyqtari u cilësua i pastër edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelit.

Kalaja u zgjodh edhe anëtar në Kolegjin Zgjedhor tre herë radhazi. Ai ishte babai i dy fëmijëve.

Si ndodhi vrasja

Gjyqtari 62-vjeçar u ekzekutua me armë mesditën e kësaj të hëne në sallën e gjyqit. Ai u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari, Elvis Shkambi, teksa po shpallte një vendim gjyqësor për një çështje pronësie ku ishin të përfshirë familjarët e autorit. Krahas gjyqtarit, Shkambi qëlloi edhe ndaj Rakip dhe Elvis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë në këtë proces gjyqësor.

Kalaja u transportua me urgjencë drejt spitalit të traumës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ai nuk mundi të mbërrijë me shenja jete në spital, pasi kishte marrë dy plumba në gjoks dhe një në bark. Ndërsa Rakip dhe Elvis Kurtaj po mbahen në observim nga bluzat e bardha.

Policia arrestoi autorin në ambientet e gjykatës. Para hetuesve ai pranoi krimin duke deklaruar se shkak për të ishte bërë çështja e një prone në Shkodër. Konflikti për këtë pronë zvarritet gjyqeve prej disa vitesh.

Seanca e kësaj të hëne zgjati rreth 90 minuta dhe rreth orës 15.30 kur gjyqtari shpalli vendimin duke rrëzuar pretendimet e familjarëve të Elvis Shkambit, 30-vjeçari nxori pistoletën dhe pasi e mbushi qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit dhe palës kundërshtare në proces. Pas kësaj autori qëndroi në sallë dhe priti policinë për t’i vendosur prangat.

Prona që çoi deri në vrasje

Një ndërtesë e njohur si “Pallati i ish-rezervave” në lagjen “Skënderbeg” të Shkodrës ishte “molla e sherrit” mes 31 familjeve te strehuara aty dhe Gjon Shkambit, xhaxhait të autorit.

Familjet e strehuara me vendim te bashkisë në vitin 1992 pretendonin se Shkambi i kishte të falsifikuara dokumentet mbi pronësinë e truallit. Vetë familja Shkambi pretendonte se e ka fituar me gjyq atë pronë duke pasur edhe një urdhër nga Zyra e Përmbarimit.

Konflikti disavjeçar dhe zvarritja e procesit ishte bërë pjesë e denoncimeve edhe në emisione televizive. Familja Shkambi kërkonte lirimin e godinës, duke e pretenduar se familjet e kishin uzurpuar.

Familja Shkambi e kishte fituar gjyqin në shkallën e parë ndërsa çështja shkoi në Apel ku edhe përfundoi në vetgjyqësi. /LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI