Flash

Plani i Trump për Gazën, i mirë por me pengesa

Lapsi.al 30 September 2025
Plani i Trump për Gazën, i mirë por me pengesa

Presidenti amerikan Donald Trump e përshkroi planin e tij për t’i dhënë fund luftës në Gaza si potencialisht “një nga ditët më të mëdha në historinë e civilizimit” dhe si mundësi për “paqen e përjetshme në Lindjen e Mesme”. Retorika ishte tipike për stilin e tij, por propozimi 20-pikësh, i prezantuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, përbën një hap të rëndësishëm diplomatik, edhe pse jo aq madhështor sa e paraqiti Trump.

Plani sinjalizon një zhvendosje të administratës Trump mbi të ardhmen pas luftës në Gaza dhe vendos më shumë presion se më parë ndaj Netanyahut për të pranuar një marrëveshje. Por nëse mund të kthehet në realitet, kjo varet nga faktorët e zakonshëm: nëse si Netanyahu, ashtu edhe udhëheqja e Hamasit, shohin më shumë fitime në përfundimin e luftës sesa në vazhdimin e saj.

Reagimi i Hamasit ende nuk është i qartë. Një përfaqësues i grupit sugjeroi se kushtet nuk mbronin mjaftueshëm interesat palestineze dhe pa garanci për tërheqjen e Izraelit nga Gaza, ata nuk do ta pranonin planin. Nga ana tjetër, Netanyahu deklaroi pranimin e Izraelit për 20 parimet e Trump, edhe pse aleatë të tij në krahun e djathtë ekstrem i hodhën poshtë disa prej tyre.

Megjithatë, pranim i parimeve nuk do të thotë automatikisht fund i luftës. Kundërshtarët e brendshëm të Netanyahut e akuzojnë se prish marrëveshjet që rrezikojnë mbijetesën e tij politike. Për këtë arsye, plani mund të mos jetë i mjaftueshëm për të sjellë zgjidhjen që kërkon Trump.

Një kornizë, jo një marrëveshje e plotë

Plani mbetet një kornizë negociatash, jo një plan i detajuar paqeje. Trump e quajti një seri “parimesh”, të ngjashme me kornizën e shpallur nga Joe Biden në maj 2024 për një armëpushim të fazuar. Ajo kërkon:

  • ndalim të luftimeve,

  • tërheqje të kufizuar të forcave izraelite,

  • lirimin e pengjeve nga Hamasi, ndjekur nga lirimi i qindra të burgosurve palestinezë nga Izraeli,

  • krijimin e një administrate teknokrate lokale në Gaza, e mbikëqyrur nga një “Bord Paqeje” i drejtuar nga Trump dhe me anëtar ish-kryeministrin britanik Tony Blair, që do të ketë bazë në Egjipt.

Lexo më tej: Ky është plani i Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe roli i Tony Blair 

Anëtarët e Hamasit që pranojnë bashkëjetesën paqësore dhe dorëzimin e armëve do të përfitojnë amnisti; të tjerët do të internohen. Një forcë ndërkombëtare sigurie, e udhëhequr nga SHBA dhe vendet arabe, do të marrë kontrollin mbi rendin në Gaza.

Çështja e shtetësisë palestineze 

Plani përmend shtetin palestinez vetëm në terma të paqartë: nëse Autoriteti Palestinez reformohet, atëherë “mund të krijohen kushtet për një rrugë drejt vetëvendosjes dhe shtetësisë”. Vendet arabe e shohin këtë si një përparim të rëndësishëm krahasuar me planin e shkurtit, kur Trump propozoi zhvendosjen e detyruar të banorëve dhe ndërtimin e një “riviera” artificiale.

Plani përfshin gjithashtu një pikë kyçe për arabët: “Izraeli nuk do ta pushtojë apo aneksojë Gazën”, megjithëse nuk ka një zotim të ngjashëm për Bregun Perëndimor.

Netanyahu, nga ana e tij, e sheh kornizën në përputhje me objektivat e tij: Hamas i çarmatosur, Gaza e demilitarizuar dhe pa krijimin e një shteti palestinez. Por mbetet e paqartë nëse partnerët e tij qeverisës do të pranojnë pikat për çarmatim dhe shtetësi.

Ndërmjetës dhe tensione të reja 

Plani është frymëzuar nga propozimet e mëparshme, si ai franko-saudit i korrikut dhe idetë e Tony Blair. Ai u hartua nga i dërguari i Trump Steve Witkoff dhe dhëndri i tij Jared Kushner, në konsultim me Izraelin, vendet evropiane dhe arabe, përfshirë Katarin dhe Egjiptin.

Lexo më tej: Çfarë po “gatuan” Luis Enrique për të sfiduar Inter: një vorbull futbolli hiperteknik 

Në një moment domethënës, Trump e bindi Netanyahun të kërkojë falje nga Katari për bombardimin e fundit në Doha, gjë që pritet ta rikthejë Katarin si ndërmjetës.

Ndërkohë, në terren, bombardimet izraelite mbi Gazën u intensifikuan, me një divizion të tretë të blinduar të dërguar në qytet. Hamasi, nga ana e tij, deklaroi përgatitjen për një “betejë vendimtare” me rreth 5,000 luftëtarë.

Një rrugë e gjatë përpara

Bashkimi Evropian dhe vendet arabe kanë shtyrë për një zgjidhje diplomatike, ndërsa izolimi ndërkombëtar i Izraelit thellohet dhe Netanyahu përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte. Ata e shohin këtë kornizë si një mënyrë për të rikthyer negociatat dhe për të ruajtur shpresën për një zgjidhje me dy shtete në të ardhmen.

Por, për momentin, plani i Trump është vetëm një kornizë që kërkon javë, në mos muaj, negociata të vështira për t’u kthyer në atë që presidenti amerikan e paraqet si objektivin final: një fund i plotë i luftës.

©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Investigimi/ Si arriti Ergys Agasi të bëhet ‘koordinatori’ i Ramës me krimin

SPAK e akuzon se ndërtoi një grup të strukturuar kriminal për të kontrolluar tenderët publikë dhe se e shtriu ndikimin e tij në Policinë e Shtetit, AKSHI dhe Shërbimin Informativ. Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si ndërmjetës mes kryeministrit dhe botës së krimit. Si u transformua brenda një dekade ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit në biznesmen me pasuri të mëdha dhe akses në nivelet më të larta të qeverisjes?

12:04

Me sytë katër

PAPARAZZI