Flash

Moldavia me sytë nga BE, koalicioni pro-rus dërrmohet në zgjedhje

Lapsi.al 29 September 2025
Moldavia me sytë nga BE, koalicioni pro-rus dërrmohet në zgjedhje

Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) e presidentes Maia Sandu ka shpallur fitore dhe shumicë të re në parlament, në zgjedhjet që u panë si vendimtare për rrugën e Moldavisë drejt Bashkimit Europian. Sandu kishte paralajmëruar për “ndërhyrje masive ruse”, duke thënë se e ardhmja e vendit mes Ukrainës dhe Rumanisë ishte në rrezik.

Lideri i PAS, Igor Grosu, tha se ishte “një betejë jashtëzakonisht e vështirë” dhe se Rusia kishte hedhur “gjithçka që kishte” për të ndikuar. Me 99.9% të votave të numëruara, PAS siguroi 50% të votave, shumë përpara bllokut pro-rus Patriotic Electoral Bloc, që mbeti nën 25%. Pjesëmarrja ishte 52%, më e lartë se në zgjedhjet e fundit.

Një nga liderët kryesorë të opozitës, Igor Dodon, shpalli fitore që para shpalljes së rezultateve dhe bëri thirrje për protesta para parlamentit të hënën. Një nga partitë e bllokut të tij u ndalua nga gara dy ditë para votimit për financime të paligjshme.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, përshëndeti rezultatin, duke e quajtur një zgjedhje për “Europën, demokracinë dhe lirinë”. Kryeministri polak Donald Tusk tha se Sandu kishte “shpëtuar demokracinë” dhe kishte “ndaluar Rusinë në përpjekjet për të marrë kontrollin e rajonit”. 

Rezultatet e këtij viti treguan një avantazh të qartë për PAS, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara shumë më të ngushta. Katër vjet më parë, partia e Sandu mori 52.8% të votave; tani ajo pritet të sigurojë 55 vende në parlamentin me 101 deputetë, duke qeverisur pa pasur nevojë për koalicione.

Fushata u shoqërua me tensione dhe incidente: u raportuan alarme për bomba në qendra votimi në Itali, Rumani, Spanjë, SHBA dhe vetë Moldavi. Tre persona u arrestuan për dyshime për komplot për trazira pas votimit. Grosu akuzoi grupe kriminale të mbështetura nga Moska për incidentet dhe bëri thirrje për durim dhe qetësi.

Lexo më tej: Europë apo Rusi? Moldavia vendos në zgjedhjet kritike për vendin 

Moldavia mbetet e ekspozuar ndaj ndikimit rus edhe për shkak të rajonit separatist të Transnistrisë, ku ndodhen trupa ruse dhe një popullatë me prirje të forta pro-Moskës. Disa banorë të këtij rajoni u ankuan për pengesa në votim, duke thënë se qendrat e tyre u mbyllën për shkak të alarmeve për bomba.

Zgjedhjet zhvillohen në një vend që ndjen pasojat e luftës së plotë të Rusisë në Ukrainën fqinje, mes rritjes së çmimeve dhe korrupsionit të lartë. Sandu, 53 vjeç, e rizgjedhur presidente vitin e kaluar, i kishte paralajmëruar qytetarët: “Mos luani me votën, përndryshe do të humbni gjithçka.” 

Policia raportoi gjithashtu prova për një përpjekje të paprecedentë nga Rusia për të përhapur dezinformim dhe për të blerë vota. Disa burra u arrestuan, të akuzuar se kishin udhëtuar në Serbi për trajnim me armë dhe për organizim trazirash. Një investigim i BBC zbuloi një rrjet që u premtonte pagesa pjesëmarrësve për të shpërndarë propagandë pro-ruse dhe lajme të rreme.

Partitë pro-Moskës hodhën poshtë akuzat si trillime, ndërsa ambasada ruse në Londër akuzoi Moldavinë dhe “sponsorët perëndimorë” se po përpiqen të largojnë vëmendjen nga problemet e brendshme të Chisinau-t. Në të gjitha qendrat e votimit të vizituara nga BBC, monitorët vendosën kamera për të regjistruar procesin, gati për t’u verifikuar në rast ankesash.

Moldavia mori statusin e vendit kandidat për BE në vitin 2022, së bashku me Ukrainën, katër muaj pas pushtimit rus. Fitorja e PAS e forcon kursin pro-evropian të vendit dhe e vë Moldavinë një hap më afër integrimit në familjen europiane.

Përgatiti ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

Emri i Elon Musk shfaqet në dosjet Epsteinin

Emri i multimiliarderit Elon Musk është shfaqur në dosjet e Jeffrey Epstein në lidhje me një vizitë të mundshme të njeriut më të pasur në botë në ishullin e Eps...

16:05

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Investigimi/ Si arriti Ergys Agasi të bëhet ‘koordinatori’ i Ramës me krimin

SPAK e akuzon se ndërtoi një grup të strukturuar kriminal për të kontrolluar tenderët publikë dhe se e shtriu ndikimin e tij në Policinë e Shtetit, AKSHI dhe Shërbimin Informativ. Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si ndërmjetës mes kryeministrit dhe botës së krimit. Si u transformua brenda një dekade ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit në biznesmen me pasuri të mëdha dhe akses në nivelet më të larta të qeverisjes?

12:04

Me sytë katër

PAPARAZZI