Flash

Qeveria e re/ Kush ikën dhe kush vjen nën Edin e Katërt

Lapsi.al 11 September 2025
Qeveria e re/ Kush ikën dhe kush vjen nën Edin e Katërt

Me emrat që prezantoi për qeverinë e mandatit të katërt, Edi Rama la të paprekur qendrën e gravitetit në këshillin e ministrave që mbetet Belinda Balluku me dy poste kyçe; së pari si zv.kryeministre, një titull i garanton pozicionin e mëkëmbëses së Ramës në mbledhjet e qeverisë dhe së dyti si ministre e Infrastrukturës, një pozicion që vjen në qeveri me një portofol gjigand të projekteve të rrugëve.

Ndryshimi më i prekshëm është largimi i Ulsi Manjës nga pozicioni i Ministrit të Drejtësisë, i cili është lëvizur për t’u parkuar në Komisionin e Ligjeve. Mënjani taktik shënon përgatitjet për një marrëdhënie të re me SPAK. Jo rastësisht largimi i Ulsi Manjës ndodh me fundin e mandatit të Altin Dumanit. Dy juristët nga Dibra, njëri prokuror dhe tjetri në politikë u fotografuan bashkë rreth 4 vite më parë në një takim informal dhe që atëherë mbajtën postet kyçe të drejtësisë, njëri në SPAK tjetri në qeveri. Ulsi Manja u zëvëndësua nga Besfort Lamanllari.

Në disa emërime ministrash, Rama duket se është përpjekur të përafrojë funksionin politik me aftësitë profesionale, si në rastin e emërimit të mjekes Evis Sala në postin e Ministres së Shëndetësisë, apo të Ministrit të Bujqësisë, Andis Salla. E njëjta logjikë duket me ministrat e financave dhe të ekonomisë, përkatësisht Petrit Malaj dhe Delina Ibrahimaj.

Por në disa raste të tjera, lëvizjet duket se janë bërë sa për t'i gjetur punën njeriut. I tillë është rasti i Ministrisë së Brendshme ku emërohet Albana Koçiu, e cila më parë ishte në Ministrinë e Shëndetësisë. Me këtë emërim konfirmohet edhe një herë roli pa peshë politike që Rama preferon të ketë në dikasterin e sigurisë dhe rendit, duke i besuar kryepolicit Ilir Proda pushtetin real në policinë e shtetit dhe ndikimit okult në emërimet brenda saj.

E njëjta logjikë është edhe për zhvendosjen e Mirela Kumbaros në Ministrinë e Arsimit, e cila tek Turizmi është zëvëndësuar me një prej zv.ministrave të saj Sofjan Jaupaj.

Bashkë me Ulsi Manjën largohet nga qeveria Igli Hasani që drejtoi Ministrinë e Jashtme, për t’u zëvëndësuar nga Elisa Spiropali. Prej 13 vitesh në pushtet, Spiropali ka qenë një ndër politikanet më të përkëdhelura të Ramës. Spiropali mund të jetë një nga Ministret e rralla të Punëve të Jashtme që e ka nisur karrierën e saj në Dogana.

I çuditshëm është mënjanimi nga qeveria i Arbian Maznikut, i cili ishte në krye të ekipit të Elbasanit në zgjedhjet e kaluara ku mori një rezultat të mirë, por gjithsesi së fundmi emri i tij ka dalë në dosjet e SPAK në lidhje me menaxhimin e një restoranti në Tiranë.

Në mandatin e katërt, është e tepërt të kërkosh emra me autoritet apo integritet politik në qeverisjen e Partisë Socialiste, pasi sa më shumë që Rama qëndron në pushtet aq më të rrallë janë zërat origjinalë në ekipin e tij.

Por në qeverinë e mandatit të katërt të Edi Ramës mungon edhe një qëllim, një prioritet, një reformë përtej retorikës së integrimit. Si për të mposhtur konsumin e 13 viteve në pushtet, Rama ka "emëruar” ministre Diellën, sekretaria dixhitale e E-Albania por kjo tingëlloi si një përpjekje e lodhur për të impresionuar me Inteligjencën Artificiale, një akt që gjithsesi nuk ka ndezur sa duhet në media./Lapsi.al

Kryeministër, Edi Rama.

Zv/kryeministre, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku

Ministre e Brendshme, Albana Koçiu

Ministre e Jashtme, Elisa Spiropali

Ministër i Financave, Petrit Malaj

Ministër Turizmi, Kulture dhe Sporti, Blendi Gonxhe

Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj

Ministre Arsimi, Mirela Kumbaro

Ministër Shëndetësie, Evis Sala

Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Brahimi

Ministria e Inteligjencës Artificiale, Djella

Ministri i Drejtësisë, Besfor Llamallari

Ministër i Mbrojtjes, Pirro Vëngu

Ministër i Bujqësisë, Andis Salla

Ministër i Shtetit për Pushtetin vendor, Ervin Demo

Kryenegocatorja Majlinda Dhuka,

Ministre e Antikorrupsionit, Adea Pirdeni

Ministër i Marrëdhënieve me Kuvendin, Toni Gogu

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI