Flash

Pagesat me kartë rriten me ritme të shpejta në vend

Lapsi.al 6 September 2025
Pagesat me kartë rriten me ritme të shpejta në vend

Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri një rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.

Në krahasim me vitin 2020, periudhë pas së cilës nisi edhe cikli i rritjes së shpejtë të turizmit, numri i pagesave me kartë është rritur me 237%. Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 83.3 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me vitin 2023 dhe 227% krahasuar me vitin 2020.

Për vitin 2024, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 16% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 14.5% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë. Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur sidomos nga shtimi i numrit të turistëve të huaj. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë ka shtyrë një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të vitit të kaluar arriti shifrën rekord në 24 470, në rritje me 27.6% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa krahasuar me vitin 2020, numri i terminaleve POS është dyfishuar. Megjithatë, depërtimi i POS-eve ngelet ende i ulët. Sipas INSTAT, vitin e kaluar, Shqipëria kishte afërsisht rreth 132 mijë biznese aktive (duke përjashtuar fermerët). Mbi këtë numër, mund të llogaritet se numri i POS-eve ishte afërsisht sa 18.5% e numrit të bizneseve aktive.

Por, as kjo shifër nuk e tregon nivelin e depërtimit të POS-eve, sepse një pjesë e mirë e tyre është e përqendruar në kompanitë e mëdha të shitjes me pakicë, që kanë një rrjet të zgjeruar të dyqaneve.

Znj. Huta thotë se ka një përpjekje në rritje nga bankat për të shtuar numrin e pajisjeve POS, edhe në bashkëpunim me operatorët globalë, si Mastercard, që këtë vit po zhvillon një fushatë për këtë qëllim.

“Aty ku ne kemi mangësi të mëdha janë taksitë, ndërsa POS-et po shtohen në dyqane, hotele dhe restorante.

Fushata e ndërmarrë këtë vit në bashkëpunim me Mastercard po jep rezultate, ndërsa shpresojmë që vitin e ardhshëm, kësaj nisme t’i bashkohet edhe Visa. Pra, duhet të bindemi se alternativa e duhur nuk është ATM-ja, por kalimi në pagesa elektronike. Këtu nuk luftojmë vetëm kostot, por njëkohësisht luftojmë edhe informalitetin, edhe ekonominë e cash”,- thotë ajo.

Vitin e kaluar, numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori bankar shqiptar arriti në 1.51 milionë, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.32 milionë, në rritje vjetore me 6.7%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.

Ndërkohë, vitin e kaluar u shënua rënie në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pak më shumë se 113 mijë karta krediti aktive, me një rënie vjetore prej 5.3%. Megjithëse në ekonomitë e zhvilluara është një instrument shumë i përdorur prej dekadash, në Shqipëri shifrat tregojnë se karta e kreditit nuk ka arritur të fitojë një përdorim shumë të madh.

Depërtimi i dobët i këtij produkti mund të lidhet sidomos me faktin se ekonomia shqiptare ka një shkallë të lartë të përdorimit të parasë fizike si instrument për transaksionet ekonomike, ndërsa karta e kreditit është një instrument i lidhur kryesisht me pagesat jo cash./Monitor.al

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI