Flash

Ngërçi politik në Kosovë, deputetët mblidhen sot në seancën e radhës

Lapsi.al 22 August 2025
Ngërçi politik në Kosovë, deputetët mblidhen sot

Dy ditë pasi dështuan në dy propozime të ndryshme, deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, do të mblidhen sërish për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Prej orës 11:00, deputetët do të mblidhen në seancën e dytë pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që i obligon ta zgjedhin kryeparlamentarin në votim të hapur e për 30 ditë.

Të mërkurën, në përpjekjen e parë pas aktgjykimit, Lëvizja Vetëvendosje, që është subjekt fitues i zgjedhjeve, përsëriti propozimin që Albulena Haxhiu të vihet në votim për kryetare të Kuvendit. Por, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme të deputetëve, përkatësisht së paku 61 për. Ajo mori 57 vota pro e pati 56 kundër dhe tre abstenuan.

Pas konstatimit të mungesës së votave, Vetëvendosje për herë të parë dha një propozim të ri për këtë pozitë, atë të deputetes Donika Gërvalla, e cila është bashkëkryetare e Partisë Guxo, që në dy palë zgjedhjet e fundit nacionale ka garuar në listën e Vetëvendosjes.

Njëjtë sikurse Haxhiu, as Gërvalla nuk i mori votat e mjaftueshme. Gërvalla madje s’i mori as votat e të gjithë deputetëve të VV-së. Për nuk votoi Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshorte e ish-kryetarit të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, që tha se nuk votoi për shkak të postimeve akuzuese të Gërvallës ndaj bashkëshortit të saj vite më parë.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e shmangu votimin e hapur dhe kërkoi formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar. Kjo u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtarë për këtë komision.

Më pas lënda është adresuar në Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy vendime. Në bazë të aktgjykimit të dytë, që u publikua më 19 gusht, deputetët obligohen që ta përmbyllin konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh. Bazuar në të, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë. Sipas aktgjykimit, të gjithë deputetët prezentë duhet ta shprehin vullnetin e tyre me votë: për, kundër ose abstenim.

Kushtetuesja ka konstatuar se deputetët e zgjedhur nuk e kanë zbatuar aktgjykimin e 26 qershorit dhe rrjedhimisht të gjitha vazhdimet e seancës të mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik i ka shpallur të pavlefshme. /koha.net

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Investigimi/ Si arriti Ergys Agasi të bëhet ‘koordinatori’ i Ramës me krimin

SPAK e akuzon se ndërtoi një grup të strukturuar kriminal për të kontrolluar tenderët publikë dhe se e shtriu ndikimin e tij në Policinë e Shtetit, AKSHI dhe Shërbimin Informativ. Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si ndërmjetës mes kryeministrit dhe botës së krimit. Si u transformua brenda një dekade ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit në biznesmen me pasuri të mëdha dhe akses në nivelet më të larta të qeverisjes?

12:04

Me sytë katër

PAPARAZZI