Flash

Kodi i ri Penal zbut dënimet e korrupsionit për zyrtarët e lartë

Lapsi.al 5 August 2025
Kodi i ri Penal zbut dënimet e korrupsionit për zyrtarët e

Nga Gjergj Erebara

Zyrtarët e lartë aktualisht nën akuzë për veprën penale të korrupsionit si ish-kryeministri Sali Berisha, ish-presidenti Ilir Meta apo kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pritet të përfitojnë masa dënimi ndjeshëm më të ulëta, nëse një projekt për Kod të ri Penal i propozuar nga qeveria si “punë e ekspertëve” miratohet në parlament, gjithmonë nëse nuk shpallen të pafajshëm gjatë gjykimit.

Hartuesit e Kodit të ri Penal, të cilët nuk kanë dalë deri më sot të mbrojnë publikisht punën e vet, duket se kanë mbledhur bashkë në një vepër penale atë që në kodin aktual penal është ndarë në dy nene të veçanta, korrupsionin pasiv të zyrtarëve.

Kodi aktual dënon në nenin 259 rastet e mitmarrjes së zyrtarëve publikë të zakonshëm nga 2 deri në 8 vjet, ndërsa korrupsioni i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë dënohet në nenin 260 me katër deri në dymbëdhjetë vjet burg. Ndryshe nga kjo, Kodi i ri Penal parashikon dënimin e korrupsionit për të gjithë zyrtarët, pavarësisht nivelit, nga tre deri në tetë vjet burg.

Ulja e masës së dënimit minimal nga katër në tre, dhe atij maksimal, nga dymbëdhjetë në tetë, duket se është në kundërshti me tendencën e përgjithshme ashpërsuese të projekt-kodit, i cili është kritikuar deri më tani më së shumti për shtimin të pambëshetur në ndonjë arsyetim për nevojat apo kostot dhe përfitimet, të masës së dënimit për shumë vepra penale apo kundravajtje.

Ndërsa cënimi i simboleve të Republikës konsiderohet në Kodin aktual një kundravajtje që dënohet me gjobë deri në tre muaj burg, në Kodin e ri dënohet me deri 4 vjet burg, përveç zgjerimit masiv të fushës së veprimit në krahasim me nenin aktual. Por ndryshe nga tendenca e përgjithshme ashpërsuese, të cilën kreu i dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia e cilësoi si prej “inkuizatorësh”, hartuesit kanë parë të arsyeshme të barazojnë korrupsionin e zyrtarëve të lartë me atë të zyrtarëve të zakonshëm dhe rrjedhimisht, të ulin masën e dënimit.

Amnisti de facto?

Kodi Penal i një vendi, përveç parashikimit të veprave apo kundravajtjeve penale, bart edhe konceptin që një vepër penale nuk mund të gjykohet dhe dënohet përtej një afati të arsyeshëm nga koha e kryerjes së saj. Afati i parashkrimit, siç njihet teknikisht, varet nga rëndesa e veprës penale. Nëse një vepër penale parashikon një masë dënimi të ulët, afati i parashkrimit të saj është gjithashtu i ulët, ndërsa për veprat e rënda penale, parashkrimi është më i gjatë. Për shembull, krimet kundër njerëzimit apo krimet e luftës nuk parashkruhen, ato ndiqen penalisht dhe dënohen pavarësisht afatit që ka kaluar nga kryerja e tyre, me kushtin që i dyshuari të jetë gjallë.

Ulja e masës së dënimit për korrupsionin e zyrtarëve të lartë përmes barazimit të tyre me zyrtarët e zakonshëm sjell për rrjedhojë, ulje të afatit të parashkrimit për këtë vepër penale, duke sugjeruar se disa zyrtarë të lartë, aktualisht nën akuzë, mund të amnistohen.

Kodi aktual penal përcakton në nenin 66 se për veprat penale që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet, parashkrimi është njëzet vjet, ndërsa për ato ku masa e dënimit është nga pesë deri në dhjetë vjet, parashkrimi është dhjetë vjet. Projektkodi i ri nuk ndryshon shumë nga i vjetri përveç formës. Këtu afatet e parashkrimit shënohen në nenin 185. Në pikën c shkruhet: “dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim mbi pesë deri në dhjetë vjet burgim”. Rrjedhimisht, një korrupsion i përfituar më herët se sa viti 2015, sipas këtij kodi është parashkruar. /Reporter.al

Të këshilluara

Një vatër zjarri në Peqin

Një vatër zjarri është shënuar sot në zonën e Grykshit, pjesë e bashkisë Peqin. Flakët janë përhapur në një sipërfaqe me bimësi të dendur, duke rrezikuar përhap...

17:02

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI