Flash

Kurti: Të akuzuarit për Banjskën, më afër Vuçiçit sesa mbrojtja e afërt

Lapsi.al 30 June 2025
Kurti: Të akuzuarit për Banjskën, më afër

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se të akuzuarit për sulmin në Banjskë gjenden shumë afër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, madje, sipas tij, më afër sesa mbrojtja e tij e afërt. Kurti kërkoi sërish që ata t’iu dorëzohen autoriteteve kosovare.

Kurti i bëri këto komente gjatë një ngjarjeje të hënën, pasi në rrjetet sociale u publikuan pamje dhe fotografi që shfaqnin disa persona para ndërtesës së Presidencës së Serbisë, gjatë protestës së së shtunës, për të cilët pretendohet se janë të akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë.

Radio Evropa e Lirë po verifikon identitetin e tyre.

Kurti tha se kjo dëshmon se ekzekutivi i tij ka pasur të drejtë kur ka shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” më 2023.

“Në Banjskë të Zveçanit, në fund të shtatorit e vranë rreshterin tonë policor, Afrim Bunjaku, dhe ne kërkojmë dorëzimin e kryekriminelit, kryeterroristit Millan Radoiçiq me 44 paramilitarë të tjerë të cilët morën pjesë në sulmin terrorist e kriminal të shtatorit të vitit 2023. Tash, të njëjtit janë më afër sesa mbrojtja e afërt e presidentit të Serbisë [Aleksandar Vuçiç]”, tha Kurti gjatë një deklarimi për gazetarë në Bardhosh të Prishtinës.

Sipas tij, imazhet e kapura para ndërtesës së Presidencës serbe, tregojnë se sulmi në Banjskë më 2023 u krye nga një grup “kriminal e terrorist” që ishte “i dirigjuar, financuar nga Beogradi” dhe, siç tha Kurti, nuk ishte grup huliganësh.

“Janë njerëz të cilët janë ushtruar në Serbi, i marrin urdhrat prej andej dhe kanë bërë agresion në Kosovë. Ata duhet t’i dorëzohen Kosovës. Kjo flet se ne kemi pasur gjithçka të drejtë dhe tregon gjithçka për regjimin e Beogradit, i cili në njërën anë vepron kësisoj për shkak se i mohon krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e në anën tjetër vetëm sa e rrit bashkëpunimin me Kremlinin, me presidentin despotik, Vladimir Putin”, tha Kurti.

Në Kosovë është duke u zhvilluar gjykimi për rastin e Banjskës ndaj tre personave, ndërkaq në aktakuzën për sulmin e armatosur janë përfshirë 45 persona.

Gjatë këtij sulmi ishte vrarë polici Afrim Bunjaku. Ndërkaq, gjatë këmbimit të zjarrit me grupin e serbëve të armatosur u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë.

Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e ka hedhur poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Serbia mohon akuzat e Kosovës se Beogradi qëndron prapa sulmit të armatosur në Banjskë, që Prishtina e cilëson si terrorist.

Kosova vazhdimisht i ka kërkuar Serbisë që t’i dorëzojë personat e akuzuar për rastin në Banjskë. Thirrje që ata të përballen me drejtësinë ka bërë edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara./REL

Të këshilluara

Pse po ikin të rinjtë nga Shqipëria

NgaGabriel HiltydheMartine M. Christensen E ulur në tarracën e një kafeneje në një rrugë të qetë me pemë në Tiranë, Çeljeta Mema lë telefonin mënjanë dhe hed...

12:59

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI