Flash

Zgjedhjet, policia nis instruktazhin

Lapsi.al 10 May 2025
Zgjedhjet, policia nis instruktazhin

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një seri instruktazhesh me të gjithë efektivët e angazhuar në procesin zgjedhor, me fokus të veçantë ruajtjen e rendit dhe sigurisë në objektet ku do të zhvillohet votimi.

Instruktazhet janë zhvilluar në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë, ku kanë marrë pjesë drejtuesit lokalë të Policisë dhe Komisariateve përkatëse. Në to janë shpërndarë edhe librat e xhepit për çdo punonjës, të përgatitur enkas nga Policia e Shtetit, ku përshkruhen në mënyrë të qartë dhe të përmbledhur detyrat që duhet të përmbushin gjatë procesit zgjedhor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përcjellë një mesazh të qartë dhe të prerë për të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë operacion të rëndësishëm. Ai ka vënë theksin te profesionalizmi, neutraliteti dhe përkushtimi që duhet të tregojnë efektivët në përmbushjen e detyrave të tyre, duke e cilësuar këtë angazhim si një detyrë të shenjtë në shërbim të qytetarëve dhe demokracisë.

“Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar deri më sot nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj,” u shpreh Proda. “Ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes – ky duhet të jetë qëndrimi juaj në çdo situatë.”

Ai gjithashtu theksoi se efektivët nuk duhet të bien pre e asnjë provokimi apo presioni politik, por të mbrojnë integritetin e procesit me dinjitet, profesionalizëm dhe paanshmëri. Në përfundim të instruktazhit, punonjësit u shpërndanë në pikat ku janë planifikuar për shërbim, për të garantuar sigurinë fizike të qendrave të votimit dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Ky angazhim vjen në kuadër të përgatitjeve të Policisë së Shtetit për të siguruar një proces zgjedhor të qetë, të drejtë dhe të pandikuar nga elementë destabilizues. Autoritetet presin që me këtë mobilizim, të garantohet integriteti i zgjedhjeve dhe të ruhet rendi publik gjatë gjithë fazës së votimit dhe më tej.

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

91.79

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI