Flash

Nga lider në lodër/ Si po e përdor Rama për herë të fundit Lulzim Bashën

Lapsi.al 23 March 2025
Nga lider në lodër/ Si po e përdor Rama për herë

[audio mp3="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/03/1-1-AUDIO-2025-05-29-12-08-34-enhanced-v2.mp3"][/audio]

Ditët e fundit, Edi Rama dhe Lulzim Basha nuk po ngjajnë më me dy figura politike, por me dy personazhe komikë të një komedie, që prodhon çdo ditë nga një dozë të re neverie. Dy klounët e një Shqipërie të varfër dhe me probleme: njëri duke i dhënë gaz makinës nën tingujt e Unikkatilit, tjetri i veshur me kostum sportiv dhe i dehur nga një vetëkënaqësi arrogante.

Njëri, me këmishën e hekurosur dhe flokët me xhel që bërtet me të madhe para celularit, tjetri me vetësigurinë e një autokrati në degradim që flet për art, por vjell beton dhe propagandë.

Sot, të dy kanë gjetur një gjuhë të përbashkët: hip-hopin e Unikkatilit. Jo për të sfiduar realitetin, por për ta fshehur atë. Luli që bën diss me refrenin “Ku i ke shokët o Rame?”, ndërsa Rama ia kthen me “Se ti nuk mundesh me u shty me mu”, dhe spektakli vazhdon nga Facebook, ndërsa në sfond, një popull që shtyn ditët në varfëri, paguan fatura për projektet e oligarkisë, dhe i jep “play” kësaj farse si të ishte një episod i ri i "Portokallisë", por me pasoja reale.

Prej vitesh tanimë, Lulzim Basha nuk është më lider opozite, por bashkë me lidershipin politik ka dorëzuar edhe fytyrën, duke u shndërruar në klounin zyrtar të qeverisë, një figurë tragjike që ka kaluar nga zhgënjimi në vetëshkatërrim. I dorëzuar ndaj idesë se nuk ka më mbështetje, nuk ka më parti, nuk ka kauzë dhe as turp, tashmë krijon skena për klikime, një celular dhe ulërimat “O Rame ku jeeee!”

Rama? Tallet, qesh dhe e përdor ish-kundërshtarin e tij, njësoj siç bëri në vitin 2017, kur e bindi të mbyllë çadrën duke i dhënë ca ministri dhe hipotekën, për t’i rrëmbyer zgjedhjet. Siç e përdori edhe kur Sali Berisha u përjashtua nga Partia Demokratike në shtator të vitit 2021, një akt që e shndërroi opozitën në orendi të thjeshtë të zyrës së Ramës.

Duhet thënë se profili i një Lul Bashe të qeshur dhe të shpenguar, është një eksperiment i dështuar. Vetë Basha bëri një tentativë për t’u shfaqur i çliruar nga kombinimi kostum-kollare gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2021. Por kur pa se përpjekja e këshilltarëve të huaj për ta sjellë liderin e opozitës më njerëzor dhe më të natyrshëm, shndërrohej vazhdimisht në frymëzim për meme, ai vetë hoqi dorë.

Sepse çfarëdo filtri të përdorësh, realiteti del i njëjti: Luli mbetet një “koçi politik”. Edhe tani, kur vëmendja publike duhej të ishte te korrupsioni, varfëria, krimi dhe keqqeverisja, Lul Basha duket se po i jep ndihmën e fundit Edi Ramës duke e shpërqëndruar elektoratin opozitar me disset, memet dhe shakatë banale nëpërmjet një skeçi, ku populli nuk është më votues, por spektator që voton me gishtin që bën scroll.

Gjithsesi, të mos gënjejmë veten. Basha nuk ka më asnjë aspiratë për të qeverisur. Kur ka vendosur të shndërrohet në jokerin e Ramës –ai ishte i ndërgjegjshëm që do të jetë thjesht një meme lëvizëse, një karikaturë e opozitës që shkakton të qeshura. Por sërish zgjedh të jetë pjesë e farsës. Sepse mesa duket, ca njerëz preferojnë më mirë t’i qeshin, sesa t’i harrojnë fare.

Rama ndërkohë ka luksin të shfaqet artist, kryeministër, baba i kombit dhe ndonjëherë edhe Unikkatil. Në fund, këtu nuk flitet më për politikë, por për humor të zi. Një serial i pafund ku e vetmja gjë që ndryshon është numri i skandaleve dhe toni i memeve; një eksperiment social ku luhet me njerëzit, që nuk duhet të kuptojnë se sa poshtë kanë përfunduar.

Pra, mos u çudisni kur shihni Lulin që bën freestyle dhe Ramen që qan hallin e SPAK-ut. Është vetëm akti i radhës i Republikës së Klounëve. Aty ku politika ka vdekur dhe komedia e zezë ka marrë pushtetin.

Zgjidhni kë doni në zgjedhje! Klounin me kravatë ose klounin me penel! Janë pjesë e të njëjtës trupë cirku. Ne na kanë lënë vetëm një funksion: ne paguajmë biletën!/Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

9°c

KËMBIMI EURO

91.92

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI