Flash

BIRN: Qeveria “Rama” njofton sërish se do mbyllë TikTok-un dy muaj para zgjedhjeve

Lapsi.al 6 March 2025
BIRN: Qeveria “Rama” njofton sërish se do mbyllë TikTok-un

Nga Vladimir Karaj

Përmes ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu, qeveria njoftoi të enjten se kishte vendosur mbylljen e përkohshme të platformës TikTok, duke e arsyetuar vendimin si masë e marrë pas vrasjes së një adoleshenti në shkollë disa muaj më herët.

“Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto platforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Grupi i punës ka patur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë patur rëndësi maksimale, kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik Tok, për një periudhë 12 mujore”, tha Manastirliu në një deklaratë pas mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri në një deklaratë në rrjetin social X këmbënguli se mbyllja e përkohshme ishte bërë pas një konsultimi me prindër dhe pas ngritjes së kapaciteteve teknike. “Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike”, tha ai.

Rama pretendoi se ishin në konsultim me kompaninë që zotëron platformën dhe se do negocionin për të rritur masat e sigurisë për fëmijët, përfshi masa në gjuhën shqipe.

Vendimi i qeverisë u sulmua menjëherë nga opozita si akt censure para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Ish-kryeministri Sali Berisha njoftoi mbajtjen e një proteste kombëtare më 15 mars kundër mbylljes së platformës, ndërsa ftoi të merrnin pjesë të rinjtë dhe gjimnazistët. “Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Çapo, njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTokut për 12 muaj. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij”, tha Berisha në një deklaratë për mediat. Ai e krahasoi Ramën me Hoxhën dhe vendimin e cilësoi të ngjashëm me censurën ndaj mediave të huaja gjatë diktaturës.

Arlind Qori, drejtues i Lëvizja Bashkë, një parti e re politike që merr pjesë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare, po ashtu e cilësoi vendimin një përpjekje për censurë. “Etja për pushtet dhe para e një autokrati të dalë boje nuk ndalet përpara asgjëje. Prapëseprapë Lëvizja BASHKË do t’ia dalë edhe po i mbyllën të gjitha rrjetet sociale, madje edhe dyert e të gjitha televizioneve, gazetave e portaleve”, shkroi Qori në Facebook.

Vendimi për mbylljen e rrjetit social, gjërësisht i përdorur nga të rinjtë, është konsideruar nga ekspertë të medias dhe të drejtave të njeriut si një masë ekstreme dhe jo proporcionale. Qeveria përdori vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar si argument për nisjen e fushatës për mbylljen e kësaj platforme. Por platforma nuk përmendet në të dhënat publike të hetimit rreth vrasjes së adoleshentit.

Është e paqartë nëse vendimi i qeverisë do të jetë efektiv. Kryeministri pati lajmëruar edhe më herët se do të mbyllte platformën, por kjo nuk u realizua./BIRN

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI