Flash

Bllokimi i kalimit të gazit rus nga Ukraina rrit çmimin e tij në Europë

Lapsi.al 4 January 2025
Bllokimi i kalimit të gazit rus nga Ukraina rrit çmimin e tij

Çmimet e gazit në Europë janë rritur pasi Ukraina ndaloi kalimin e gazit rus përmes territorit të saj drejt Bashkimit Europian. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Moska dikur përmbushte mbi një të tretën e nevojave të Europës. Kontinenti europian megjithatë ka arritur të heqë dorë nga gazi rus pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.

Çmimet e gazit me shumicë në Europë u rritën të enjten në nivelin më të lartë që nga tetori i vitit 2023.

Rritja ndodhi pas vendimit të Ukrainës që ndaloi kalimin tranzit të gazit rus përmes territorit të saj drejt Europës nga 1 janari. Moska do të humbasë mbi 5 miliardë dollarë në vit. Ukraina do të humbasë rreth 800 milionë dollarë që i siguronte nga tarifat. Megjithatë, ndikimi në Europë do të jetë i kufizuar, thotë analisti Thomas O’Donnell.

“Të gjithë kanë qenë të përgatitur për këtë. Sigurisht, ka fitues dhe humbës deri në një pikë të caktuar. Disa vende si Sllovakia, Hungaria dhe Austria janë më të varura nga kjo se të tjerat. Ato nuk do të kenë mungesa gazi, por do të duhet të paguajnë më shumë, siç po bëjnë gjithë të tjerët”, thotë O’Donnell ’.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha muajin e kaluar se ai nuk do t'i jepte më Rusisë “mundësinë për të fituar miliarda dollarë”, ndërsa forcat e saj vazhdojnë agresionin në tokën e Ukrainës.

Kryeministri sllovak Robert Fico është i afërt me presidentin rus Vladimir Putin. Të dy u takuan në Moskë muajin e kaluar. Kryeministri Fico e kundërshton mbështetjen perëndimore për Kievin.

Gjatë një fjalimi që mbajti të mërkurën, pasi Ukraina ndërpreu kalimin e gazit rus, Fico akuzoi bllokun europian për sakrifikimin e interesave të anëtarëve më të vegjël për ato që ai i quajti qëllime “të pakuptimta” gjeopolitike.

“Kjo do të ketë ndikim drastik për të gjithë ne në Bashkimin Europian, por jo për Federatën Ruse”, tha kryeministri Fico.

Në realitet, Bashkimi Europian e ka ulur tejmase varësinë e tij nga gazi rus, pjesërisht falë rritjes së madhe të importeve të gazit nga Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2024 importet e gazit rus përmes Ukrainës përbënin rreth 5% të furnizimeve totale të Europës. Një pjesë e gazit u dërgua në Evropën Perëndimore përmes Sllovakisë që, sipas analistit O’Donnell, shpjegon shqetësimet e kryeministrit sllovak.

“Sllovakia fitonte rreth gjysmë miliardë dollarë nga tarifat e kalimit të gazit rus përmes sistemit sllovak të tubacioneve”, thotë O’Donnell nga qendra ‘Wilson’.

Përpara fillimit të agresionit rus në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, firma shtetërore ruse ‘Gazprom’ ishte furnizuesi më i madh i gazit në Europë. Sipas analistit O’Donnell, udhëheqësi rus Putin e llogariti gabim përgjigjen e Europës ndaj luftës në Ukrainë.

“Presidenti Putin e portretizon veten si një nacionalist i madh rus. Ky nacionalist i madh rus sapo humbi një nga bizneset më të mëdha që Rusia ka pasur ndonjëherë”.

Rrugët e tjera të furnizimit të Moskës për në Europë janë të kufizuara. Tubacioni ‘Yamal-Evropë’, përmes Bjellorusisë, u mbyll në vitin 2022. Disa muaj më vonë, gazsjellësi ‘Nord Stream’ nën Detin Baltik për në Gjermani u sabotua. Rusia është ende në gjendje të furnizojë me gaz Hungarinë, Turqinë dhe Serbinë përmes tubacionit ‘TurkStream’./ VOA

Të këshilluara

Dyshimet/ A u helmua vërtetë Assad?

Prej një dite ka pretendime se është bërë një tentativë helmimi ndaj diktatorit të rrëzuar Bashar al-Assad. Tirani sirian i rrëzuar ka qenë nën mbrojtjen e V...

17:46

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI