Flash

Shteti në rënie të lirë, krimi ka marrë yrysh, policia mbledh kufomat

Lapsi.al 20 November 2024
Shteti në rënie të lirë, krimi ka marrë yrysh, policia

Shteti privat i Edi Ramës është në rënie të lirë. Prova e fundit dhe ulëritëse është ajo që po ndodh me rendin dhe sigurinë publike. Brenda pesë ditëve në Tiranë kanë ndodhur 3 vrasje, nga të cilat dy janë atentate mafioze dhe të pazbardhura ende.

Fillimisht u ekzekutua biznesmeni Eduard Reçi. Dyshohet se është qëlluar me armë snajper nga lartësia. Më pas ndodhi vrasja makabre e 14-vjeçarit Martin Cani pranë oborrit të shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Pa u tharë njollat e gjakut të të miturit, Tirana u gdhi më 19 nëntor me një tjetër vrasje. Viktima ishte 27-vjeçari Klaudio Prendi, djali i një ish-gjyqtari. Ai u qëllua me armë silenciator jashtë një lokali në një zonë të populluar të kryeqytetit.

Teksa policia mbledh gëzhoja dhe kufoma, Ministri i Brendshëm zhduket nga përballja në Parlament me opozitën, mediat dhe opinionin publik në tërësi. Ervin Hoxha zgjodhi të mos ishte në Kuvend gjatë dy ditëve të seancave maratonë për buxhetin. Ishte i vetmi ministër i kabinetit “Rama” që nuk mbajti fjalim për buxhetin.

Imagjinojeni vetë! Flet për buxhetin Bora Muzhaqi, ministria e së cilës është Bora vetë dhe shoferi i saj, por fshihet Ministri i Brendshëm, i cili drejton një nga dikasteret më të rëndësishme në vend. Sigurisht që Ervin Hoxha nuk erdhi në Parlament ngaqë nuk i jepnin dot një fjalim për ta recituar, siç bëjnë ministrat e tjerë pupacë të Edi Ramës. Me vetëdije ai e ka ditur që do të përballej me reagime të ashpra nga opozita sidomos pas vrasjes së 14- vjeçarit dhe për këtë zgjodhi të mos ishte në Parlament.

Nuk pati madje asnjë reagim publik për ngjarjen e rëndë, qoftë një mesazh ngushëllues për familjen, por vijonte axhendën sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Ministri publikonte në rrjetet sociale foto nga prezantimi i drejtorëve të rinj të Policisë së Shtetit nëpër qarqe.

Është kujdesur gjithashtu të shpërndajë fjalimin e Ramës për buxhetin, t’i bëjë jehonë bonusit për pensionistët, por mbajti gojën kyçur për krimin makabër në dyert e shkollës. Njësoj edhe për ngjarje të tjera të rënda si vrasja e biznesmenit dhe e djalit të prokurorit.

E pazbardhur akoma është edhe vrasja e katërfishtë në Shkodër. Fshehur si Ministri i Brendshëm qëndron edhe drejtori i ri Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Nuk ka as zbardhje të ngjarjeve dhe as reagime e marrje përgjegjësie publike. Duket sikur përballë kësaj situate ulëritëse edhe dy njerëzit më të rëndësishëm për rendin e sigurinë, Ministri i Brendshëm dhe drejtori i Policisë së Shtetit, i janë dorëzuar krimit.

Krimi ka marrë yrysh dhe shteti del në skenë vetëm kur mblidhen kufomat. Për qytetarët e zakonshëm që duan mbrojtje kur dalin në rrugë, kur ikin në punë apo kur çojnë fëmijën në shkollë, shteti nuk ekziston. Ka vetëm një shtet privat për Edi Ramën dhe oborrin e tij që e ndihmon kryeministrin për të mbajtur pushtetin, për të blerë votat e për të zhvatur pasuritë publike.

Ndryshimi i fundit i kupolës së Policisë së Shtetit ka pak shpresë se do të sjellë përmirësim të situatës me kriminalitetin në vend. Procesi ka qenë fasadë, jo vetëm për zgjedhjen e Ilir Prodës, por edhe për drejtuesit e tjerë të qarqeve.

Emrat janë paracaktuar nga grupet e biznesit, politika dhe me siguri ka edhe influenca nga grupet kriminale. Thënë të gjitha këto, Shqipëria ku po jetojmë sot është një gënjeshtër e madhe nga ajo që pikturon Edi Rama brenda dhe jashtë vendit. Sigurisht që përgjegjësi kryesor është ai vetë. ©LAPSI.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

12°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI