Flash

Izraeli godet me sulme ajrore Libanin dhe Sirinë

Lapsi.al 15 November 2024
Izraeli godet me sulme ajrore Libanin dhe Sirinë

Izraeli goditi të premten periferinë e Bejrutit me sulme ajrore pas urdhrit për evakuim të banorëve. Sulmet, fillimisht me raketa të lëshuara me dronë dhe pastaj aeroplanë, rrafshuan një ndërtesë pranë zyrave administrative në një zonë që, sipas Izraelit, ishte i pranishëm grupi militant Hezbollah, i cili mbështetet nga Irani.

Ekipet e shpëtimit po kërkonin për viktimat e sulmit izraelit, që ndodhi gjatë natës ndaj një qendre të mbrojtjes civile në qytetin lindor Baalbek, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 13 punonjësve dhe vullnetarëve të qendrës, sipas autoriteteve libaneze.

Izraeli akuzon Hezbollahun se shfrytëzon ambulancat dhe qendrat mjekësore për transportimin dhe ruajtje e armëve.

Sipas mediave siriane, sulmet izraelit goditën të premten edhe periferinë e Damaskut, ndërkohë që ushtria izraelite njoftoi se kishte sulmuar rrugët përgjatë kufirit të Sirisë dhe Libanit, që sipas tyre shfrytëzoheshin për t’i dërguar Hezbollahut armë. Sulmet e Izraelit në Damask ndaj lagjeve të banuara me komandantët e Hezbollahut, ata të Rojës Revolucionare të Iranit dhe drejtuesit e Hamasit dhe grupeve tjera militante palestineze shkaktuan vdekjen e 15 personave. Sipas autoriteteve izraelite, këto sulme kishin për objektiv qendrat ushtarake dhe selinë e grupit militant palestinez, Xhihadi Islamik.

Sulmet e fundit kryhen në një kohë kur ka njoftime për vazhdimin e përpjekjeve diplomatike për të arritur një armëpushim që do t’i jepte fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas burimeve të agjencisë Reuters, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Liban i dorëzoi një projekt-propozim për armëpushim kryetarit të kuvendit të Libanit, Nabih Berri, i cili është i mbështetur nga Hezbollahu të negociojë. Ky projekt-propozim është i pari në formë të shkruar në javët e fundit, që Uashingtoni u ofron palëve për t’i dhënë fund luftës ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Ambasada amerikane në Liban nuk i konfirmoi këto zhvillime.

Ndonëse përmbajtja e propozimit amerikan nuk është bërë e ditur, një zyrtar libanez i tha agjencisë Associated Press se projekt-propozimi amerikan synon një marrëveshje bazuar në rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1701 që i dha fund luftës së vitit 2006 ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

Këshilltari i udhëheqësit suprem të Iranit Larijani qëndroi të premten në Bejrut për takime me zyrtarët libanezë, nga të cilët, siç tha ai, kishte marrë “sqarimet e duhura”.

“Republika Islamike e Iranit mbështet Libanin dhe zyrtarët libanezë në çdo situatë dhe në veçanti në rrethanat aktuale kur regjimi zionist e ka vendosur shtetin libanez në një situatë të vështirë”, deklaroi ai.

I pyetur nëse vizita e tij ka për qëllim të minojë projekt-propozimin amerikan, Larijani deklaroi:

“Nuk po mundohemi të sabotojmë asgjë. Po mundohemi të zgjidhim probleme. Do ta mbështesim popullin libanez në çdo rrethanë. Netanyahu dhe turma e tij janë ata që po prishin punë”, shtoi ai.

Irani është mbështetësi kryesor i Hezbollahut dhe njëkohësisht furnizuesi dhe financuesi i grupit militant që vepron në Liban.

Sipas Bankës Botërore, në 13 muajt e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, kostoja e dëmeve fizike dhe humbjeve ekonomike në Liban ka kapur shifrën e 8.5 miliardë dollarëve.

Sipas autoriteteve libaneze, konflikti ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut ka shkaktuar vdekjen e 3,380 personave./VOA

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Investigimi/ Si arriti Ergys Agasi të bëhet ‘koordinatori’ i Ramës me krimin

SPAK e akuzon se ndërtoi një grup të strukturuar kriminal për të kontrolluar tenderët publikë dhe se e shtriu ndikimin e tij në Policinë e Shtetit, AKSHI dhe Shërbimin Informativ. Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si ndërmjetës mes kryeministrit dhe botës së krimit. Si u transformua brenda një dekade ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit në biznesmen me pasuri të mëdha dhe akses në nivelet më të larta të qeverisjes?

12:04

Me sytë katër

PAPARAZZI