Flash

Marco Rubio, kandidat për Sekretar Shteti, që s'e ka harruar kurrë Ballkanin

Lapsi.al 12 November 2024
Marco Rubio, kandidat për Sekretar Shteti, që s'e ka harruar

Forcat e armatosura amerikane “ndaluan nazizmin dhe komunizmin” dhe “të këqija të tjera, si spastrimi etnik serb”.

“Ato ndihmuan në lindjen e demokracive - nga Gjermania në Irak”.

Këto deklarata i bëri Marco Rubio, senator i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, gjatë një fjalimi për rolin e Amerikës në botë, në vitin 2011.

Trembëdhjetë vjet më vonë, emri i tij përflitet për pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit.

Disa media amerikane raportuan se Rubio është në bisedime me ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për pozitën e lartë. New York Times deklaroi se pothuajse emri i tij është i konfirmuar.

Aktualisht, ai shërben si nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe është anëtar i Komitetit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Si përfaqësues nga Florida në Senat, 53-vjeçari u zgjodh për herë të parë në vitin 2010.

Përgjatë karrierës, rajonin e Ballkanit e kishte disa herë në fokus.

Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, u tha në atë letër.

Aty po ashtu theksohej se Rusia, për kohë të gjatë, ka luajtur rol destabilizues në Ballkan, për t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë.

“Në veçanti, ne i bëjmë thirrje NATO-s që ta rrisë angazhimin e saj në rajon dhe t’i marrë parasysh masat emergjente, në rast se Rusia vë veto ndaj rinovimit të misionit të Forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më vonë këtë vit”, u tha në atë letër.

Në vitin 2021, Rubio mirëpriti lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet, si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkroi Rubio në X.

Vitin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në Uashington, u prit nga një grup senatorësh dhe kongresistësh amerikanë, në mesin e të cilëve ishte edhe Rubio.

Në atë takim, Osmani vlerësoi “kontributin e jashtëzakonshëm që Kongresi ka dhënë në forcimin e pozitës ndërkombëtare” të Kosovës.

Në vitin 2018, me Rubion u takua edhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Folëm për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për mundësitë euroatlantike të Kosovës dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, tha atëkohë Thaçi.

Rubio njihet për qasje të ashpër në politikën e jashtme, sidomos ndaj Kinës dhe Iranit.

Ndërsa shprehu vazhdimisht mbështetje për Ukrainën, në një rast më herët tha se konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës duhet “të arrijë në një përfundim”.

Rubio ishte në mesin e disa senatorëve që votuan kundër ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila kaloi në muajin prill.

“Ajo që ne po financojmë, është një ngërç që duhet të marrë fund”, tha Rubio për televizionin NBC News, pas zgjedhjes së Trumpit, javën e kaluar.

Në një intervistë për rrjetin televiziv, CNN, po atë javë, Rubio tha se “bota po ndryshon me shpejtësi”.

“Kundërshtarët po bashkohen - Koreja e Veriut, Irani, Kina, Rusia po koordinohen gjithnjë e më shumë. Do të na duhet të jemi shumë pragmatikë dhe të zgjuar, në atë sesi investojmë jashtë shtetit dhe çfarë bëjmë”, tha Rubio.

Ai, po ashtu, shprehu vazhdimisht mbështetje për luftën e Izraelit në Gazë.

Në fund të vitit të kaluar, kur u pyet nga një aktiviste e paqes se çfarë mendon për vrasjen e civilëve palestinezë, Rubio tha se Hamasi - grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera - “është 100 për qind fajtor”.

“Hamasi duhet të ndalojë të fshihet pas civilëve. Hamasi duhet të ndalojë ngritjen e instalimeve ushtarake poshtë spitaleve”, tha Rubio.

Marrëdhëniet mes Rubios dhe Trumpit nuk ishin gjithmonë në harmoni.

Të dy garuan për president në vitin 2016 dhe zhvilluan një rivalitet të ashpër.

Ata u përplasën për një sërë çështjesh - sidomos për imigracionin - dhe mosmarrëveshjet i çuan edhe në fyerje të ndryshme.

Trump iu referua shpesh senatorit si “Marco i vogël”, ndërsa Rubio tallej me, siç thoshte, “duart e vogla” të Trumpit.

Por, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, Rubio nisi t’i rregullonte gjërat me të, duke shërbyer si këshilltar joformal i politikës së jashtme dhe duke e ndihmuar atë në përgatitjen e debatit të tij të parë me Bidenin në vitin 2020.

Ai shprehu mbështetje për Trumpin edhe në zgjedhjet e atij vitit, edhe në të fundit, që u mbajtën më 5 nëntor.

Si djalë i imigrantëve kubanezë, Rubio është i martuar dhe ka katër fëmijë.

“Nëse konfirmohet nga Senati si kryediplomat amerikan, Rubio do të bëhej fytyra e politikës së jashtme të Trumpit, duke përshkuar globin me një aeroplan qeveritar, për të artikuluar doktrinën e presidentit të zgjedhur ‘Amerika e para’”, shkroi gazeta Washington Post. /REL

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Investigimi/ Si arriti Ergys Agasi të bëhet ‘koordinatori’ i Ramës me krimin

SPAK e akuzon se ndërtoi një grup të strukturuar kriminal për të kontrolluar tenderët publikë dhe se e shtriu ndikimin e tij në Policinë e Shtetit, AKSHI dhe Shërbimin Informativ. Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si ndërmjetës mes kryeministrit dhe botës së krimit. Si u transformua brenda një dekade ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit në biznesmen me pasuri të mëdha dhe akses në nivelet më të larta të qeverisjes?

12:04

Me sytë katër

PAPARAZZI