Flash

KuvendOn/ Spiropalizimi i parlamentit për fushatën zgjedhore

Lapsi.al 29 October 2024
KuvendOn/ Spiropalizimi i parlamentit për fushatën zgjedhore

E veshur me xhaketë të bardhë përkrah një ekrani me sfond të kuq, ku shquhej slogani “KuvendON”, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali nisi më 22 tetor nga Berati një fushatë takimesh, e prezantuar për publikun si një nismë për të afruar institucionin më të lartë të vendit me qytetarët.

Megjithatë, në tribunë përkrah Spiropalit u ul kryetari i Bashkisë së Beratit, Ervin Demo, njëherazi drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun, ndërsa në sallë ishin të pranishëm deputetë të tjerë socialistë të qarkut.

I prezantuar si një aktivitet i Kuvendit të Shqipërisë, takimi u dominua gjithsesi nga qëndrimet dhe premtimet politike, të tilla si rritja e pensioneve apo ndihma për grupe të ndryshme të shoqërisë.

Kuvendi e përshkruan nismën si “një program i cili do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë si një platformë “llogaridhënieje” gjithëpërfshirëse, ku qytetarët nxiten t’i shprehin shqetësimet drejtpërdrejt Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë”, në kuadër të “Javës së Gjelbër”.

“Java e Gjelbër” është një mekanizëm i krijuar prej kohësh për të vendosur komunikimin e deputetëve me qytetarët – ajo parashikon një javë në muaj pushim nga aktivitetet parlamentare për t’u lënë hapësirë deputetëve që të takohen me qytetarët në zonat e tyre elektorale.

Ky mekanizëm nuk e ndalon kryetaren e Kuvendit në rolin e saj si deputete për takime në zonën zgjedhore përkatëse. Mregjithatë, përdorimi i këtij mekanizmi në cilësinë e kryetares së Kuvendit ka ngritur shqetësimin për keqpërdorim të institucionit dhe të burimeve publike në funksion të fushatës së ardshme elektorale.

“Nisma e fundit ‘KuvendOn’, ku kryetarja e Kuvendit shoqëruar nga deputetë të mazhorancës dhe nga zyrtarët lokalë, po ashtu të mazhorancës, përbën më shumë aktivitet elektoral politik sesa një aktivitet të Kuvendit,” i tha BIRN Afrim Krasniqi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike.

“Nëse Kuvendi dëshiron të bëjë bisedime publike dhe transparente, së pari duhet të përmbushte detyrimet ligjore, që nuk i ka përmbushur, dhe standartet e transparencës, që nuk i ka përmbushur, përmes informimit publik dhe elementëve të tjerë ligjore,” shtoi ai.

Aktivistët e shoqërisë civile u shprehën kritikë edhe për nismën “Java e Gjelbër”, që sipas tyre nuk ofron mekanizma realë ndërveprimi mes ligjvënësve dhe qytetarëve, por shërben më së shumti si platformë politike.

Për Rigels Xhemollarin, drejtor ekzekutiv i “Qendresa Qytetare”, kryeparlamentarja Spiropali ka nisur qartazi fushatën elektorale në qarqet e vendit, duke “përdorur platformën e Kuvendit, resurset e Kuvendit dhe postin e Kryetares” në shkelje sipas tij të parashikimeve të Kodit Zgjedhor.

“Është e turpshme, e paligjshme, joetike dhe joserioze keqpërdorimi i postit më të lartë të Kuvendit të vihet në dispozicion të partisë dhe fushatës,” tha Xhemollari për BIRN.

“…Mesa duket, znj.Spiropali e ka të vështirë të ndahet nga posti i ministres apo aktivistes partiake, duke folur nga një kostum që Kushtetuta ia ka veshur për tjetër detyrë,” shtoi ai.

Spiropali u emërua në korrik të këtij viti në postin e Kryetares së Kuvendit, duke zëvendësuar Lindita Nikollën pas dorëheqjes së kësaj të fundit. Ajo ka marrë edhe më herët kritika për përdorimin e burimeve publike në shpërndarjen e takimeve të saj partiake në kanalet zyrtare të Kuvendit.

Spiropali dhe zyra e komunikimit e Kuvendit nuk iu përgjigjën kërkesës për koment të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi. Ndërkohë, Kuvendi e trajtoi kërkesën për koment si kërkesë për të drejtë informimi.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile i kërkojnë kryeparlamentares Spiropali që të mos e përdorë Kuvendin si trampolinë për aktivitete partiake.

“Kuvendi duhet t’i kthehet rolit kushtetues, të përmbushë detyrimet e veta, të rregullojë mekanizmat e brendshëm dhe të heqë dorë nga praktika e keqpërdorimit të institucionit për qëllime elektorale,” përfundoi Krasniqi./ Reporter.al

Të këshilluara

90 mln euro taksa shtesë në vitin 2025

Të ardhurat shtesë që do të vijnë nga ndryshmi i legjislacionit tatimor në vitin 2025 do të jenë rreth 9,1 miliardë lekë, ose rreth 90 milionë euro, sipas të dh...

12:31

ide

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

90.77

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse guri dhe molotovi u bënë të pashmangshëm

Kjo revoltë rinore ka pasur një meritë të madhe. Ajo i bëri të njohur publikut të gjërë anën më kriminale të këtij regjimi që ishte deri më tani e konservuar në skutat më të fshehta. Nëse revolucioni ekstremisht paqësor i flamingove na tregoi se kjo qeverisje nuk ishte më popullore, epilogu i tij radikal, me gurë dhe molotov po shërben për të nxjerrë në dritë të diellit se autokrati është në gjendje të përdorë çdo mjet për të qëndruar në pushte

11:37 Andi Bushati

Me sytë katër

PAPARAZZI