Flash

Keqpërdorimi/ Ilir Beqaj nxjerr videot e doktorëve pro sterilizimit

Lapsi.al 22 August 2023
Keqpërdorimi/ Ilir Beqaj nxjerr videot e doktorëve pro sterilizimit

I rrezikuar nga një hetim më i thelluar i SPAK për koncensionin e sterilizimit, ish ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj, ka vendosur të adoptojë qasjen e shefit të tij, Edi Rama: "Unë bëj punë të mira paçka se ndokush mund të hajë kumbulla dhe dardha pas shpinës sime". Pra mbrojtja e Beqajt konsiston në strategjinë se sterilizimi i pajisjeve mjekësore kirurgjikale duhej bërë medoemos, pavarësisht se e gjitha ka degraduar në një garë të dyshimtë dhe problematike. Eshtë e njëjta strategji si ajo e atyre që kur i pyesnin për abuzimet në Rrugën e Kombit ta kthenin në të kundërtën. Pushtetarët e atëhershëm të përgjigjeshin: "Ti je kundër rrugës". Ose kur flitej për vjedhjen te Unaza e Re, kundërsulmi qe: "Ti nuk e do zhvillimin e qytetit". 

LEXO ME TEJ:

Reagimi/ Ku fut ujë alibia e Beqajt për udhëtimet me Ilir Rrapajn 

Pra edhe ish-ministri i shëndetësisë, për të cilin gjykata ka kërkuar një hetim të thelluar, ka vendosur të mbrohet me këtë strategji. Por, për ta përforcuar atë ka zgjedhur një metodë aspak elegante, që askush që ka disa skrupuj, nuk ka guxuar ta bëjë më parë. Ai ka ripërdorur disa thënie mjekësh, nga më të njohurit në vend, madje edhe shefa shërbimesh, që kanë lavdëruar procesin e ri të sterilizimit, menjëherë sapo ka nisur, në disa video propoganidstike që u janë kërkuar gjatë kohës që Beqaj ishte ministër.

Skanimi/ Treshja që planifikoi goditjen 76 milionë euro me sterilizimin 

"Më mirë se vetë mjekët askush nuk e kupton çfarë ndryshimi ka sjellë ky shërbim në kirurgjinë shqiptare. Në vijim janë dëshmitë e disa mjekëve të nderuar e të respektuar. I kërkoj ndjesë që po i përdor pa lejen e tyre, por gjenden lirshëm nëse kërkon në Google", ka shkruar Beqaj në një postim në faqen e tij në Facebook ku ka publikuar edhe videot.

Aty dëgjohen me zë dhe figurë rilindasi Arben Gjata, Mentor Petrela, Arben Beqiri, Edmond Çeliku, Arvin Dibra, Arben Zenelaj, Edvin Prifti etj, që ish ministri do t'i përdorë, njësoj siç bënte Veliaj me aktorët që firmosën për shembjen e teatrit. Edhe ata ulërisnin se duhej një teatër i ri, ndërkohë që përligjnin shkallmimin. Edhe këta dalin pro rinovimit steril, për të mos folur për vjedhjen. Ndërkohë që kolegë të tyre patën guximin të bënin dhe llogaritë e shifrave, madje të denonconin edhe në SPAK fitimet marramendëse, që ishin parashikuar për mjekun e shndërruar në Perugia në ndërtues, Ilir Rrapajn. 

Për ta justifikuar këtë, rektori i Universitetit Arben Gjata, i hetuar për këtë konçesion nga SPAK, tregon në sfondin e një muzike të ëmbël se falë kësaj nisme do zëvendësohen paisjet kirurgjikale të kohës së Kinës.

Shefi i neurokirurgjisë Mentor Petrela, e quan këtë shërbim të ri një revolucion.

Ndërsa shefi i kardiologjisë Edvin Prifti tregon se kjo i shërben shumë pacientit

 

Natyrisht shumëkush prej atyre që kanë dhënë mendimin në shtatë videot e publikuara, ka folur si znatçi dhe jo si intelektual, që sheh përtej hundës së tij. Ata janë marrë me veglat, çarçafët, përparëset e reja dhe jo më të tërën.

Ndonëse duket qartë se këto prononcime u janë kërkuar, duhet theksuar se ato janë bërë kur lakrat e koncesionit të sterilizimit nuk kishin plasur sheshit.

E megjithatë, të ripublikuara tani kur SPAK ka hapur dyert e burgut ato marrin një ngjyrim tjetër. Prandaj dhe figurat publike dhe njerëzit me reputacion duhet të jenë të kujdesshëm kur e thonë fjalën, qoftë edhe kur ia kërkojnë për një qokë. Se vjen një ditë, që ai që i ke bërë qokën, ta keqpërdor atë në mënyrën më të ulët të mundshme.

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

11°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI