Flash

Stoltenberg: Kosova të mos marrë hapa të njëanshëm destabilizues në veri

Lapsi.al 28 May 2023
Stoltenberg: Kosova të mos marrë hapa të njëanshëm
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka kërkuar nga Prishtina që të shtensionojë situatën dhe të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”. Stoltenberg tha se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, lidhur me situatën në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. “Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, - shkroi ai në Twitter. Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë kundërshtuan shkuarjen në zyra të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Kryetarët e rinj u asistuan nga Policia e Kosovës për të shkuar në zyrat e tyre. Por, tensionet u rritën dhe serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të policisë, e cila u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe gaz lotsjellës. Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar këtë veprim të Prishtinës, duke e cilësuar si “hyrje me forcë” në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj, që u zgjodhën në zgjedhjet lokale të 23 prillit. Por, Prishtina ka mbrojtur këtë vendim duke argumentuar se çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, paraprakisht ka deklaruar se situata në veri është “e rrezikshme”, duke kërkuar shtensionimin e menjëhershëm të situatës. Ndërkaq, BE-ja, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë ka dënuar rritjen e tensioneve dhe ka paralajmëruar Prishtinën kundër ndërmarrjes së veprimeve të njëashme. Në 4 komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet lokale të 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe. Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve të Kosovës - në nëntor të vitit të kaluar. Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. /REL

Të këshilluara

ide

MOTI TIRANA

8°c

KËMBIMI EURO

91.28

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Kriza në Shqipëri në shtatë pika

Një zgjidhje do të qe krijimi i kushteve ligjore e politike për zgjedhje të lira e të ndershme vitin e ardhshëm. Që zgjedhjet të prodhojnë dalje nga kriza, duhet të përgatitet një paketë e veçantë garancish zgjedhore që, mes të tjerash, do të kufizonte paraprakisht ndikimin e parasë së paligjshme, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe pabarazinë në qasjen te media

12:45 Veton Surroi

Me sytë katër

PAPARAZZI