Flash

Vuçiç: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në takimin me Kurtin

Lapsi.al 16 March 2023
Vuçiç: Nuk planifikoj të nënshkruaj asgjë në

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “nuk planifikon të nënshkruajë asgjë” në takimin e 18 marsit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në një fjalim drejtuar kombit të enjten pasdite, Vuçiq tha se “nuk ka ende një draft të asaj që do Bashkimi Evropian” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

“Ne e kemi dorëzuar propozimin tonë, shqiptarët të tyrin. Nuk kemi marrë ende asgjë nga Brukseli dhe ai dokument ende nuk ekziston”, tha Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e zyrtarëve të BE-së, do të takohen të shtunën në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për të diskutuar zbatimin e një plani të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

Në një takim në Bruksel, më 27 shkurt, ata e pranuan në parim përmbajtjen e këtij plani që njihet edhe si Marrëveshje drejt normalizimit.

Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësojnë dialogun, paralajmëruan se tash pasojnë diskutimet për aneksin e zbatimit.

Vuçiq tha se takimi me Kurtin “nuk do të jetë asnjë lloj dite gjykimi”, por se do të përpiqet të bëjë “atë që është më e mira për Serbinë”.

“Normalizimi është të kemi marrëdhënie më të mira me shqiptarët sesa sot, të zgjidhim probleme të panumërta dhe të përpiqemi të jetojmë bashkë aq sa është e mundur, e nëse jo - atëherë pranë njëri-tjetrit”, tha ai.

“Të punojmë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, t’i ndërtojmë marrëdhëniet më të mira me Bashkimin Evropian dhe t’u përmbahemi fuqishëm vijave tona të kuqe. Nga kjo nuk heq dorë”, tha Vuçiq.

Më herët, ai ka thënë se vijë e kuqe për Serbinë është çdo lloj njohjeje formale apo joformale e Kosovës, si dhe anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Duke folur të enjten, Vuçiq tha se këtë e ka diskutuar edhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.

”Ditëve të fundit, kemi diskutuar se çfarë është e nevojshme për të arritur normalizimin [e marrëdhënieve], që për mua nuk do të thotë eufemizëm për njohjen e Kosovës, as de facto, as de jure”, tha Vuçiq.

“Si president, u bëj thirrje qytetarëve që t’i besojnë udhëheqjes së tyre shtetërore”, u shpreh ai.

Sipas tij, edhe Serbisë, edhe Kosovës do t’i bëhet me dije se “ajo që propozon Evropa, është de facto pjesë e rrugës së negociatave drejt BE-së”.

“Ne nuk duhet të themi se nuk do të bëjmë asgjë, sepse kjo do të ishte katastrofike për ne”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se për Serbinë, mbetja në rrugën evropiane, është interes i rëndësishëm kombëtar.

Vuçiq, po ashtu, përsëriti se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Nëse shqiptarët pranojnë ta formojnë Asociacionin, do të ketë gjëra që nuk janë të lehta për ne dhe nuk do ta fsheh asnjërën para njerëzve. Por, rezultati për vendin tonë do të jetë i mirë dhe kjo është më e rëndësishmja”, tha presidenti serb.

Nikoqir i takimit në Ohër do të jetë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Borrell tha të enjten se dakordimi i udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për aneksin e zbatimit të planit të BE-së do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për dy vendet, por për gjithë rajonin.

“Nëse kjo ndodh [marrëveshja mes palëve], atëherë Ballkani Perëndimor do të shënojë një hap të madh përpara në rrugën drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Plani i BE-së, i njohur më herët edhe si plani franko-gjerman, nuk e detyron Serbinë që ta njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por obligon të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si: pasaportat, diplomat dhe targat.

Sipas planit, Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Një nga pikat e dokumentit që shihet si ndër më sfidueset, është ajo që obligon Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ky asociacion, i dakorduar qysh në vitin 2013, do t’i mundësonte komunitetit serb të menaxhojë çështje të tilla si: zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe planifikimi urban dhe rural në zonat e tij.

Qeveria e Kosovës refuzon ta formojë, duke argumentuar se asociacionet njëetnike shkelin Kushtetutën e saj dhe kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Qeveria e Serbisë, në anën tjetër, e sheh Asociacionin si mbrojtje të rëndësishme për serbët në Kosovë.

Në takimin në Ohër do të marrin pjesë edhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i SHBA-së, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Të dy ata kanë bërë vazhdimisht thirrje për formimin e Asociacionit.

Në prag të takimit të 18 marsit, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë këtë vit marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.

Të këshilluara

ide

Krimi i organizuar financon kullat e kryeministrit jo protestën ndaj tyre

Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës

10:14 Blendi Kajsiu

Si po e çon Rama vendin drejt përplasjes civile

Insistimi në dhunë, në armatosje të civilëve, në pagesa të policëve si të ishin mercenarë, vetëm paqe nuk pjell. Frika e Edi Ramës se ku do të përfundojë kur të mos jetë kryeministër nuk ka pse të bëhet makthi i Shqipërisë

15:20 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

16°c

KËMBIMI EURO

90.74

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI