Flash

Amerika ka të drejtë dhe kur gabon

Lapsi.al 1 February 2023
Amerika ka të drejtë dhe kur gabon

Nga Astrit Patozi

Të mërziturit me Amerikën kanë kohë që nuk fshihen më në Shqipëri. Dhe mirë bëjnë, sepse kjo është një gjë që lejohet, ngaqë nuk shkelet ndonjë ligj. Ndaj nuk kam ndërmend të hyj fare në debat me argumentet, që përdorin, aq më tepër kur shumica e tyre i kapërcejnë me shumë guxim edhe teoritë më të ekzagjeruara konspirative.

Tek e fundit në demokraci njerëzit janë të lirë t’i duan apo t’i urrejnë edhe shtetet njësoj si njëri-tjetrin. Uroj të mos vijë shpejt ajo ditë kur t’i dëgjojmë t’i japin leksione Amerikës për demokracinë dhe shtetin e së drejtës, se për gabimet e Uashigtonit nuk prishemi, ngaqë i pranojnë edhe vetë ata.

Në funksion të zemërimit të tyre për padrejtësitë që na vijnë nga përtej Atlantikut, po shfrytëzohet edhe historia e bujshme e hetimit të një ish-zyrtari të lartë të FBI, i cili mes të tjerash ka pasur edhe një segment të errët në Shqipëri. Histori, që e bën pis kryeministrin Edi Rama, i cili, sipas meje, edhe për kaq sa dihet deri tani, duhet të mbajë përgjegjësi.

Por nga ana tjetër ky triller spiunazhi amerikan gati po na paraqitet si një provë e pakundërshtueshme se edhe Shtetet e Bashkuara janë po kaq të kalbura sa edhe vendet jodemokratike apo autoritare dhe se fuqia apo qëndrueshmëria e insitucioneve të tyre janë një mit i rremë.

Në fakt është krejt e kundërta, megjithëse ajo që ka ndodhur nuk besoj se bën njeri krenar në Uashington. Për faktin e thjeshtë se i dyshuari që supozohet të ketë abuzuar me detyrën gjendet sot në paradhomën e qelisë së burgut, por jo vetëm kaq.

Përtej fatit të zotit McGonigal, i cili pritet të vendoset nga hetimi i mëtejshëm dhe më pas gjykimi i tij, Amerika është impresionuese si gjithmonë edhe për një ngjarje tjetër, që përfshin sërish FBI-në.

Pasi hetuesit e saj kanë ushtruar këto ditë kontroll për të gjetur prova paligjshmërie në shtëpinë e Presidentit Biden, disa muaj pasi të njëjtin riatual e kishin kryer në rezortin e ish-Presidentit Trump. Duke përndjekur praktikisht në kuptimin e ligjit dy burrat më të fuqishëm të Amerikës dhe për pasojë të gjithë botës.

Kaq mjafton për t’i mëshiruar të gjithë ata që përpiqen të na imponojnë hallet personale dhe keqkuptimet e tyre në Shqipëri, duke u përpjekur dëshpërimisht se mos kapin në gabim Shtetet e Bashkuara.

Ndërkohë që jam i sigurt se të mërziturit me Amerikën bëhen qull në djersë vetëm nga idea se policia apo prokuroria mund të trokasë një ditë në derën e udhëheqësve të tyre legjendarë, të cilët nuk ka lënë gjë pa bërë në dëm të vendit dhe popullit të vet.

Dhe kjo është pa dyshimin më të vogël ilustrimi më i mirë i asaj shprehjes së njohur se ” Amerika ka të drejtë edhe atëherë kur gabon”.

Të këshilluara

ide

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

10°c

KËMBIMI EURO

90.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI