Flash

Si i devijoi SPAK shkeljet tek inceneratori i Tiranës

Lapsi.al 16 November 2022
Si i devijoi SPAK shkeljet tek inceneratori i Tiranës

Urdhër-arrestet që publikoi SPAK për aferën e inceneratorëve u shoqëruan me deklarata zhgënjimi për hetimet që konkludojnë me “peshq të vegjël”, ndërsa përfituesit realë të skemës ia hedhin pa u lagur. Në pranga ranë ata që qëndrojnë në fund të piramidës korruptive  dhe që kanë firmosur në këmbim të copës së vogël të tortës.

Më i njohuri në listën e të arrestuarve është Arben Dervishaj, një zyrtar i FSHF, që pasi hidhte firmën mbi dokumentat e falsifikuara merrte para për të parë ndeshjet e futbollit jashtë, sipas njoftimit të SPAK.

Në rolin e mbikqyrësit, Dervishaj firmoste për kryerjen e punimeve, edhe pse punime në realitet nuk kishte. Për këtë shpërblehej nga Klodian Zoto me udhëtime jashtë vendit për të parë futboll.

Të arrestuarit e tjerë janë përfaqësues të kompanive që firmosnin fatura fiktive, me të cilat Klodian Zoto justifikohej para shtetit. Paratë në realitet shkonin në xhepat e Zotos dhe bashkëpuntorëve të tij.

Shpallja në kërkim e administratorëve nga SPAK

Por për herë të parë, SPAK guxoi të prekë drejtuesit e inceneratorit të Tiranës, projekti që ende vazhdon të gllabërojë 29 euro për një ton mbetje që vijnë nga Tirana dhe qytetet përreth, pavarësisht se aty nuk kryhet djegie e mbeturinave dhe as prodhim energjie.

SPAK shpalli në kërkim dy ish-administratorët e inceneratorit të Tiranës, Giussepe Ciaffaglione dhe Arjola Kodra. Por për çfarë i akuzojnë?

SPAK thotë se këta i dhanë rrogë Edmond Bllakos, babait të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Alqi Bllakos, që në fakt ishte ryshfet.

Meqënëse Edmond Bllako ishte punësuar si inxhinier dhe paguhej fiktivisht në inceneratorin e Tiranës, prokurorët bëjnë përgjegjës për këtë ish-administratorët Ciaffaglione dhe Kodra. Dëmi është 140 milion lekë të vjetra, sa rroga e Edmond Bllakos.

Këtu qëndron edhe zhgënjimi për hetimet e SPAK.

Sepse inceneratori i Tiranës është një vrimë e zezë e parave të publike, e pamundur të justifikohet. Në dëshminë që dha në komisionin hetimor para se të arratisej, Arjola Kodra pranoi se pagesa 29 euro për inceneratorin nisi në dhjetor të vitit 2017.

Leja paraprake e Bashkisë së Tiranës

Sipas Arjola Kodrës, mjaftoi një leje paraprake për fillimin e punimeve të gjelbërimit në Sharrë, të lëshuar nga Bashkia e Tiranës dhe menjëherë nisi pagesa nga buxheti i shtetit.

Që atëherë pagesa vazhdon 29 euro për ton, pavarësisht se aty nuk bëhet djegia e mbetjeve dhe megjithëse nuk prodhohet energji.

“Nga momenti i marrjes në dorëzim nëpërmjet procesverbalit të bashkisë kemi filluar menjëherë rehabilitimin e zonës, venien në siguri të venddepozitimit dhe të gjitha. Kemi pasur një deklaratë paraprake nga Bashkia. Është marrë në vitin 2017, diku nga dhjetori. Është nxjerrë nga Bashkia Tiranë” deklaroi Arjola Kodra në Komisionin Hetimor.

Leja e ndërtimit për inceneratorin u zbardh nga Bashkia e Tiranës 3 vite më pas, në vitin 2020.

Por për kompaninë koncensionare kjo nuk kishte asnjë rëndësi. Sepse paratë nga buxheti i shtetit vinin njësoj, 29 euro për një ton mbetje.

Kjo procedurë nuk është pjesë e hetimit të SPAK, sepse në këtë rast do të prekeshin zyrtarët përgjegjës në bashki dhe qeveri.

Fillimi i punës së inceneratorit të Tiranës përmban edhe një shkelje tjetër të kapur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Firma e Veliajt në tejkalim të kompetencave

Për të nisur sa më shpejt dhënien e parave, Erion Veliaj firmosi dokumentin që i hapi rrugë ngritjes së inceneratorit, duke anashkaluar Këshillin bashkiak.

[caption id="attachment_777403" align="alignnone" width="900"] Dokumenti i firmosur nga Erjon Veliaj per inceneratoret[/caption]

Në dokumentin më lart duket qartë se Erion Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke marrë edhe ato të Këshillit bashkiak. Sipas një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Veliaj nuk e ka tagrin për ta miratuar projektin për inceneratorin, pasi ai vetëm e propozon buxhetin e bashkisë, që duhej miratuar nga Këshilli Bashkiak.

“Angazhimi për dakordësinë duhet të përfshijë marrjen e vendimit nga Këshilli Bashkiak përkatës, si autoriteti kompetent për miratimin e buxhetit, ndërkohë që aprovimi është dhënë nga autoriteti i kryetarit të Bashkisë që ka për kompetencë vetëm propozimin e buxhetit në këshill” theksonte KLSH.

Dokumenti më lart është edhe në SPAK, por hetimet në këto nivele do të ishin një patate tepër e nxehtë. Prandaj goditja ka ardhur duke anashkaluar abuzimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë, por pa ka rënë pa mëshirë mbi "firmëtarët" e Klodian Zotos./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI