Flash

Kurti: Nuk tolerojmë prekjen e sovranitetit të Kosovës

Lapsi.al 24 October 2022
Kurti: Nuk tolerojmë prekjen e sovranitetit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të lejojë prekjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Gjatë një fjalimi në Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti foli për luftën e paprovokuar të Rusisë ndaj Ukrainës, duke thënë se “ashtu siç veproi Serbia dje” me luftërat në Ballkanin Perëndimor, ashtu “po vepron Rusia sot”.

“Le ta dinë të gjithë, kur kërkojmë të respektohet pavarësia dhe integriteti territorial i Ukrainës, as që bëhet fjalë të mendohet se do tolerojmë prekjen e pavarësisë, sovranitetit apo integritetit territorial të Kosovës. Këto nuk janë të diskutueshme asnjëherë, askund për neve”, tha kryeministri Kurti.

Ai porositi se bota po përballet me rikthimin e politikës fashiste, që tha se po sponsorizohet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

“Pikërisht sot është rikthyer në rend të parë rëndësia e të qenit anti-fashist, kundër diskriminimeve me bazë gjinore, etnike, fetare, kundër çdolloj diskriminimi”, theksoi Kurti.

Kurti tha se Serbia dhe Rusia kanë lidhje historike e kulturore, “në linjat e autokracisë e të despotizmit, të agresionit dhe gjenocidit”.

Serbia është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, Beogradi ka votuar disa rezoluta të Kombeve të Bashkuara që dënojnë Moskën për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Kosova i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt. Po ashtu, institucionet u kanë ofruar strehim të përkohshëm disa gazetareve ukrainase.

Serbia ka lidhje të ngushta me Rusinë dhe llogaritë në Moskën kur bëhet fjalë në bllokimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog që ka për qëllim normalizimin e plotë të raporteve. Prishtina kërkon që një marrëveshje përfundimtare të përfshijë njohjen reciproke, por Serbia thotë se do një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë./REL/

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

91.61

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI