Flash

Tragjedia e Arian Salës/ Humbi mes flakëve, se zjarrëfikësit nuk patën mjete për ta shpëtuar

Lapsi.al 26 March 2021
Tragjedia e Arian Salës/ Humbi mes flakëve, se zjarrëfikësit

Tre ditë nga rënia e zjarrit në magazinën e katit të nëndheshëm të qendrës tregtare Casa Italia, janë shuar shpresat e familjarëve që Arian Sala mund të jetë gjallë. Punonjësi i sigurisë, 33 vjeç, baba i një fëmije, ka mbetur mes flakëve dhe zjarrëfikësit nuk mundën ta shpëtojnë.

Dëshmitarët treguan se kur Arian Salën e kishin lajmëruar se në magazinë kishte rënë zjarri, ai ishte futur aty dhe kishte ndihmuar 25 punonjës të tjerë të dilnin jashtë. Dyshohet se u rikthye sërish, në një përpjekje fatale për të shpëtuar të tjerë punonjës, por mbeti i bllokuar.

Prej disa ditësh zjarrëfikësit kanë luftuar me flakët në përpjekje për të vënë nën kontroll zjarrin, por e kanë pasur të pamundur të futen brenda për shkak të tymit dhe të materialeve që digjen.

Në ditën e tretë, në magazinën që digjet, mbërriti shërbimi zjarrëfikës i aeroportit të Rinasit. Shefi i tyre Adem Statovci tha se ata kishin një pajisje të veçantë për të luftuar me zjarrin.

“Pajisja që ne kemi ofruar mundëson frymëmarrjen e vazhdueshme pa cilindra në shpinë. Dhe ajo bën të mundur që zjarrëfikësi t’i ketë duart e lira për të fikur zjarrin dhe për të bërë kërkim-shpëtimin. Deri ku kemi arritur ne, temperatura shkon në 980 gradë celsius”, tha ai, ndërsa familjarët prisnin me ankth jashtë perimetrit të sigurisë.

Për dy ditë e dy netë, xhaxhai i Arian Salës u lut që institucionet shtetërore t’i vinin në ndihmë nipit. Tashmë që zjarrfikësit kanë një pajisje më të fuqishme pwr tw punuar, shpresat janë të pakta se 33-vjeçari do të jetë gjallë. Me lot në sy, xhaxhai i tij tregoi se zjarrfikësit e Tiranës nuk i kishin pajisjet e duhura, megjithëse ata u përpoqën ta shpëtonin nipin e tij. Ndërsa kamerat filmonin, ai komunikoi me një prej zjarrfikësit e Tiranës, duke i shpjeguar se përse Ariani nuk u ndihmua në momentin e parë, por u la mes flakëve.

“Eshtë mungesa e pajisjeve. Që në momentin e parë që ka ardhur zjarrfikësja e parë me katër apo pesë veta, ato futeshin dy e nga dy, me një bombul 3-litroshe që mbante vetëm 4 minuta. “Tetë minuta, më thoshte, kam kohë. Katër me shku e me ardhë”. Por me 4 minuta unë nuk arrij dot deri aty e jo më deri atje ku ishte personi. Një veshje anti-zjarr nuk e kishin ato njerëz atë natë. Një bombul, nga ato me kavot që duron deri në 300 gradë, nuk e kishin atë natë. Erdhën dje (pajisjet) nga ora 3, se unë këtu kam ndenjur. A nuk është gjynah? Se çuni sot do ishte gjallë. Sepse vatra e zjarrit nuk ka marrë ato përmasa atë natë, kur çuni ishte brenda” ishin fjalët e xhaxhait të Arian Salës.

Zjarrfikësi që ishte përballë tij dhe nën praninë e kamerave ka pranuar çdo pretendim dhe nuk ka kundërshtuar. “Unë jam palë me ty. Shërbimi zjarrfikës ka nevojë të kompletohet me pajisje, me mjete të modernizuara siç i kanë kudo, me mjete bashkëkohore” ka thënë zjarrfikësi.

“Po kur?” ishin fjalët e të afërmit të viktimës. “Djali jonë vdiq” tha ai me lot në sy. “Asnjë lloj aparature nuk e keni të na shpëtoni fëmijët. Unë e vlerësoj shumë mundimin tuaj. E vlerësoj shumë se edhe ju njëlloj jeni, rrezikoni aty. Po ti rrezikon jetën pa asnjë pajisje, si do ta shpëtosh djalin tim?”

Pas këtyre fjalëve zjarrëfikësi i Tiranës iu kthye gazetarëve, me shpresën se këta e kishin kuptuar edhe hallin e tij: “Besoj se me çfarë u dëgjua e çfarë u tha, unë besoj se po të isha gazetar si ju, unë nuk do të bëja më pyetje” tha ai, duke u larguar, me shpresën që nesër nuk do të jetë viktima e radhës.©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

91.79

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI