Flash

Kulisat/ Pse po pengohet Albin Kurti të kandidojë për deputet

Lapsi.al 20 January 2021
Kulisat/ Pse po pengohet Albin Kurti të kandidojë për deputet
Asnjë surprizë nuk vjen nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë. Zyrtarisht Albin Kurti nuk mund të kandidojë në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit për një ulëse në Kuvend. KQZ verifikoi listën e dërguar të kandidatëve për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe iu përmbajt vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilës çdo person që në 3 vitet e fundit është dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë me një ose më shumë vite burgim nuk lejohet që të kandidojë. Albin Kurti është dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale, 'përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm' dhe për 'pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare'. Për ironi të fatit ishte vetë Lëvizja Vetëvendosje që çoi në Kushtetuese çështjen e përsonave të dënuar që mbajnë postin e deputetit. Por, pse Vetëvendosja do të ngrinte këtë çështje nëse do ti kthehej si bumerang drejtuesit të saj? Për të kuptuar këtë veprim të Lëvizjes Vetëvendosje duhet të kthehemi pas shtatë muaj, më 11 qershor të vitit 2020. Partia e Kurtit do të dorëzonte në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së votimit të 3 qershorit për formimin e qeverisë së re të kryeministrit Avdullah Hoti. Vetëvendosja vlerësonte se pjesëmarrja në votim e deputetit Etem Arifi, i dënuar për një vepër penale, e bënte të pavlefshme dhe jo kushtetues votimin në parlament. "Pjesëmarrja e z. Etem Arifi në seancë dhe votimi i tij, aq më tepër si votë përcaktuese, e thellon edhe më shumë paligjshmërinë e kësaj Qeverie dhe e bën edhe proceduralisht të paligjshëm vendimin e Kuvendit për votimin e Qeverisë. Është e përcaktuar qartë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës se mandati i deputetit humb ose bëhet i pavlefshëm në rast të dënimit për vepër penale me një vit e më shumë burg”, - argumentonte Lëvizja Vetëvendosje. Deputeti Arifi është dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim nga Gjykata e Apelit për mashtrim me subvencione. Ndonëse i dënuar ai kishte votuar pro formimit të qeverisë Hoti në seancën e 3 qershorit. U deshën gjashtë muaj që Gjykata Kushtetuese, më 21 dhjetor, të vendoste të pavlefshëm votimin e tre qershorit që mandatonte një qeveri me vota minimale, të udhëhequr nga Avdullah Hoti. Kushtetuesja argumentoi dhe vendosi mbi atë çfarë pritej, asnjë person i dënuar me formë të prerë në tre vitet e fundit nuk mund të ishte deputet, dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh. Ndërsa u ra dakord që zgjedhjet të mbahen më 14 shkurt dhe Albin Kurti të bashkohej me Vjosa Osmanin duke garuar bashkë e bërë thirrje se "këto nuk ishin zgjedhje, por referendum", vloi debati nëse Kurti mund të kandidonte për deputet, pasi mbante mbi supe dy dënime në vitin 2018. Lexo më tej:

Andi Bushati: Paç armiqtë e Albinit

Pikërisht sot Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëri fakt atë që pritej. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje nuk u çertifikua për të qenë pjesë e garës për zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë. Ai do të hiqet nga lista e kandidatëve të LVV-së, së bashku me 46 kandidatë për deputetë nga listat edhe të partive tjera, po ashtu të dënuar në tri vitet e fundit. Ndërsa Albin Kurti dhe Vjosa Osmani po kërkojnë të pamundurën, njëri Kryeministër e tjetra Presidente dhe me projeksione që nxjerrin koalicionin e firmosur 6 ditë më parë si fitues të zgjedhjeve, nëse Kurti siguron votat për ekzekutivin, në horizont për të duken zvarritje të tjera. Interpretime të llojit: Nëse Kurti nuk kalon filtrat për deputet, a mund të jetë Kryeministër?    ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

Ana pozitive e ankthit prej të pandehuri të Edi Ramës

Paketa e ndryshimeve drastike në Kodin e Procedurës Penale, ndonëse buron nga halli i kryeministrit për të mbrojtur veten dhe bashkëpuntorët, krijon një mburojë tejet të gjërë për qytetarët, ndaj një drejtësie gjithnjë e më represive

13:23 Andi Bushati

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI