Flash

Analiza/ Rama po e bën bashkimin e Shqiptarëve

Lapsi.al 11 January 2019
Analiza/ Rama po e bën bashkimin e Shqiptarëve

Tentativa e Edi Ramës për të imponuar në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme Genti Cakajn në krye të diplomacisë shqiptare, nuk prodhon domosdoshmërisht vetëm fryte të këqija. Përtej debatit politik të ditës dhe diskutimit ligjor nëse mund të pengohej ky emërim me dekret presidencial, ajo po jep dhe efekte pozitive.

Nëse kryeministri renditi në mes tre arsyeve që Lapsi.al i ka raportuar, se pse po sulmohet i riu i lexuar Cakaj, faktin se ai është nga Kosova, nëse ai shkoi edhe më larg duke i kërkuar të falur kosovarëve për mosmiratimin e “birit të tyre” si shef i diplomacisë, nëse mbështetësit e tij mediatikë tentuan t'i hedhin benzinë zjarrit duke e shpënë debatin tek mospranimi që Tirana demonstron ndaj të ardhurve nga Kosova, kjo nuk ka detyrimisht vetëm efekte negative.

Sepse nisma e kryeministrit për të hequr nga posti i ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushatin, që ishte shprehur publikisht kundër planit Thaçi- Vuçiç për ndarjen e Kosovës, ka krijuar një dinamikë të re në kryeqytetin e dytë të shqiptarëve dhe ka ngjizur një kohezion të ri mes Tiranës dhe Prishtinës.

Nuk qenë të paktë ata gazetarë që e refuzuan ndjesën e Ramës, duke mos e quajtur Cakën si një përfaqësues konsensual të Kosovës. Ishte një surprizë reagimi i një veteraneje të politikës kosovare, që ka udhëhequr edhe dialogun me Serbinë, si Edita Tahiri, e cila përshëndeti frenimin që presidenti i bëri galopit të kryeministrit. Më fortë reagoi edhe një aleate e vjetër e Ramës, si lëvizja Vetvendosje, e cila i kërkoi llogari kryeministrit të këtej kufirit për ndryshimin befasues në krye të diplomacisë.

Lapsi.al i ka regjistruar këta zëra të shumtë nga Prishtina që u janë bashkuar atyre nga Tirana, që denoncojnë bashkarisht aventurat gjeopolitike të Ramës dhe bashkimin e tij me planin ndjellakeq Vuçiç- Thaçi.

Këta zëra publikë i bashkohen pothuajse të gjithë partive kryesore në Kosovë, që kanë dalë kundër coptimit të vendit dhe një pjese të madhe të spektrit në Tiranë, që kish arritur deri tek shefi i diplomacisë Ditmir Bushati.

Në këtë kuptim Rama i ka unifikuar ata.

Paradoksalisht, pasi zakonisht përbashkimet jemi mësuar t’i imagjinojmë si fryte të shembujve pozitivë, patriotizmit, apo aderimit tek simbolet me të cilat kërkojmë të identifikohemi.

Por Rama po jep shembullin e kundërt.

Duke stimuluar coptimin e kufijve, duke nxitur provokimet përçarëse si këto të ditëve të fundit, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën në mbështetjen e ideve të rrezikshme, ai po vendos një vijë të re demarkacioni: atë mes një pjese të mirë të shqiptarëve dhe një grushti pushtetarësh që duan të negociojnë territore për interesa të tyre personale dhe politike.

Rama ka meritën se po e krijon një front të përbashkët nga Tirana në Prishtinë, i cili u shfaq në unison më shumë se kurrë këto ditë. Prandaj ndoshta duhet t'ia dimë për nder, pasi nganjëherë, atë që nuk kanë fuqi ta bëjnë shembujt e të mirës, arrin ta realizojë mrekullisht rezistenca ndaj të keqes.

©Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

19°c

KËMBIMI EURO

91.65

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Investigimi/ Si arriti Ergys Agasi të bëhet ‘koordinatori’ i Ramës me krimin

SPAK e akuzon se ndërtoi një grup të strukturuar kriminal për të kontrolluar tenderët publikë dhe se e shtriu ndikimin e tij në Policinë e Shtetit, AKSHI dhe Shërbimin Informativ. Ish-zv. kryeministri Arben Ahmetaj e ka përshkruar si ndërmjetës mes kryeministrit dhe botës së krimit. Si u transformua brenda një dekade ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit në biznesmen me pasuri të mëdha dhe akses në nivelet më të larta të qeverisjes?

12:04

Me sytë katër

PAPARAZZI