Flash

Përgjimet Sigurimit/ Çfarë thanë Ngjela, Lubonja, Ziçishti e Fiqerete Shehu për vdekjen e Enver Hoxhës

Lapsi.al 20 November 2016
Përgjimet Sigurimit/ Çfarë thanë Ngjela, Lubonja,

Si u përgjuan të burgosurit politikë dhe armiqtë e klasës pas vdekjes së diktatorit në prill të vitit 1985.

Dokumente të shumta të Sigurimit të Shtetit pasqyrojnë mënyrën se si u prit vdekja e diktatorit në burgjet komuniste, por edhe jashtë tyre, atje ku ishin ata që quheshin “armiq të popullit”. Sigurimi i Shtetit ka përgjuar në çdo kënd të vendit, për të kuptuar se si po komentohej vdekja e diktatorit.

Përgjimi është kryer nëpër burgje, atje ku gjendeshin “armiqtë” e dalë nga radhët e partisë, ndër të cilët Todi Lubonja, Kiço Ngjela, Llambi Ziçishti e të tjerë. U përgjuan gjithashtu, e veja e Mehmet Shehut dhe ajo e Kadri Hazbiut bashkë me familjarët e tyre e të tjerë “armiqve të popullit”. Më poshtë botohet teksti i gjetur në dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Burrel, 13 prill 1985

I dënuari Abaz Fejzo: Na la në burg. Na erdhi hakut të tërëve dhe na la në burg…

I dënuari Rrahman Përllaku: Edhe Enverit obeziteti ja solli diabetin. Kur vishte rroba ushtarake si …  gjatë luftës e ka mbajtur trupin shumë mirë. Komunikata thotë për varrosje, se për ballsamosje nuk do të vihej në komunikatë. Do ta varrosin e ballsamosin pastaj…

I dënuari Gjok Margjoni: …ec more, se kush është tuj ça kryet për të.

Qafë Bari Pukë, 14 prill 1985

Disa të dënuar në repartin nr.311 thanë:

Tani kaq e pati kjo histori, do të dalim nga burgu, asnjë vit nuk e mbushim. Kjo pritej prej vitesh, këta do të hanë kokën e njëri-tjetrit, tani prit nga dita në ditë të vijnë jugosllavët, ata këtë rast kanë pritur. Do të kemi ngjarje të jashtëzakonshme tani e tutje…

E patë? I madhi mbaroi, mbaruan edhe këta.  Lum ai që nuk i ka bërë kujt keq e mjerë ai që i ka bërë keq të tjerëve, se do i paguajë të gjitha. Forca e madhe dhe orteku i madh u përmbys…

Iku dhe mori fund diktatura e proletariatit…

Deri në fund të vitit do të dalim dhe nuk do të ketë burgje politike…

Burrel, më 25 prill 1985

Mihallaq Ziçishti: Ç’është kjo hata  që na gjeti? Erdhi e papritur fare, edhe unë nuk orientohesha dot. Udhëheqës që të ketë bërë kaq vepra nuk ka në asnjë vend!

Kiço Ngjela: Po Fiqiretja ka bërë letër? Ata që donin ta vrisnin!

Bardhyl Belishova: Po kjo gatishmëri tani edhe mbas varrimit?!

Batër  më 25 prill 1985

Avdyl Banushi: Ja edhe ai vdiq, veç vra e pre, mori në qafë dynjanë… Ç’e do, ka vdek një njeri, është puna tek klika komuniste, ajo do shuar… për ne është fitore, se e ka mbajtur 40 vjet në frena popullin tonë. Gjithë mineralet ja ka shitur shteteve të tjera, që të bëhej mirë me ta dhe të bënte politikën e tij…

Tiranë 6 maj 1985

Fiqrete Shehu: Gjithmonë kam menduar se do t’i kalonte të 90-tat. Kisha ndërmend t’i shkruaja një letër Atij, se atje e kisha shpresën, ndërsa tani të gjitha m’u prenë. Në qoftë se do t’i kisha shkruar  udhëheqësit kryesor të Partisë,  isha e bindur se, jo për veten time, por për djemtë e mi diçka do të bënte.

Tiranë, 13 prill 1985

Llazar Lubonja, me banim në Tiranë, i vëllai i armikut Todi Lubonja, më datë 10/4/1985 është shprehur: …Vdiq një i madh, vdiq i madhi, këtë ma thotë telepatia ime, ai mori fund.

Aristidh Duri, me banim në Tiranë, jashtë përpunimit, më datën 11/4/1985, ka thënë: …Do të vija në shtëpi për të sjellë lajmin e gëzuar për vdekjen e udhëheqësit. Si mendon a do të kemi ndonjë ndryshim të gjendjes? …aman të shpëtojmë, ishallah të ketë ndryshime, se kjo situatë nuk durohet…

Skënder Ymeri, me banim në Tiranë, në përpunim 2/A për tendencë arratisje, më 11/4/1985 ka thënë: …Sot kemi festë, doli fjala ime se ai vdiq, shyqyr që shpëtuam…

Maksim Mano, me banim në Tiranë në përpunim 2/A për tendencë arratisje, më datën 11/4/1985 ka thënë: …Vdiq udhëheqësi kryesor i partisë, por interesant është pse nuk bëhet pushim?

Liri Kupi, me banim në Sektorin Gradisht të rrethit të Lushnjes, e shoqja e Fatbardh Abaz Kupit, është shprehur: …Hë mo, se plak ishte ai, e sa deshët që të rronte?…

Fiqiri Belishova (vëllai i armikes Liri Belishova) duke biseduar me gruan e tij, kur ajo e pyeti për vdekjen e udhëheqësit:

– A e more vesh?

– Po, ju përgjigj ajo dhe nuk bëri asnjë bisedë tjetër. Televizorin nuk e hapën, ndërkohë vajza e tyre këndonte.

Kurbnesh, 6 maj 1985

Elena Azbiu, (vajza e armikut Kadri Azbiu), ditën që vdiq udhëheqësi kryesor i partisë shtirej sikur qante me zë në banesën e saj.

Rrëshen 6 maj 1985

Drita dhe Gjergji Gjergo (vajza dhe dhëndri i armikut Beqir Balluku), ditën që vdiq udhëheqësi kryesor i partisë, bënin xhiro në qytet, qeshnin dhe i binin krahëve të njëri-tjetrit…

Një tjetër dokument pasqyron atë çfarë thanë diplomatët e huaj pak para vdekjes së diktatorit, pra kur ishte i sëmurë.

 

Të këshilluara

ide

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

91.90

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Tek parku Rinia, një tjetër kullë që rivret qytetin

Lubonja: “Mund të konsiderohet si kulm në kuptimin e shkatërrimit urbanistik të qytetit, që përkon edhe me një kulm në kuptimin psikologjik të delirit të omnipotencës së Edi Ramës, me një kulm të babëzisë së oligarkëve që do të përfshihen aty dhe me një kulm të paturpësisë para qytetarëve të Tiranës të arkitektëve të Albanian Files,”

11:25 Blerina Gjoka

Me sytë katër

PAPARAZZI