Flash

Rama- Meta, asgjë e re nga aleanca e ngjalave

Lapsi.al 5 August 2016
Rama- Meta, asgjë e re nga aleanca e ngjalave

Pas shumë sherresh, keqkuptimesh, aludimesh, mosmarrëveshjesh, qejfmbetjesh, akuzash e dyshimesh të ndërsjella, ka disa muaj që nuk rreshtet së foluri e parashikuari për një çarje të mundshme e përfundimtare të aleancës qeverisëse mes PS dhe LSI. Më konkretisht, mes Ramës dhe Metës.

 

Në këtë tollovi tipike shqiptare, ku thashethemet zakonisht dalin të vërteta, u parashikua ndërkohë një qeveri teknike, si shpëtim “kombëtar”; u kërcënua qeveria Rama me tërheqje të beftë e të pakthyeshme të ministrave të LSI-së; u paralajmërua vetëdorëheqja (një natë para “konsensusit patriotik”) nga vetë kryetari i Kuvendit; “u paracaktua” madje nga analistët e pavarur se në vendin e Metës ishte gjendur edhe zëvëndësuesi (me gjasë Idrizi i çamëve); u përfol për një rikthim “të sigurt” të LSI-së te martesa me bashkëjetesë me PD-në e Bashës; u duk sikur zgjedhjet e parakohshme ishin një hap larg, në fund të vjeshtës; nisën bisedimet “sekrete” nëpër kafenera dhe restorante për të bërë diversion e politikë “konspirative” e në këto bisdime i qënkëshin premtuar 3 ose 4 deputetë të LSI-së t’i faleshin Ramës që të mos binte qeveria… etj,etj.

 

Por ja që gjithçka, pas daljes së Metës nga hoteli “Grand”, bri masazherit Arjan (i cili e detoksifikon kryetarin e LSI-së me masazh), gjithçka përfundoi në një flluskë sapuni. Nuk do të ketë as zgjedhje të parakohshme, as qeveri teknike, as prishje të koalicionit. Sipas fjalëve më të fundit të Metës, koalicioni i ASHE-së do të vazhdojë “të përmbushë detyrimet ndaj zgjedhësve” deri në zgjedhjet e radhës, vitin që vjen, ndërsa reforma e drejtësisë, meqë u kapërcye hendeku i reformës me votim unanim, nuk ka pse “të përzjehet” me qeveri teknike dhe me problemet e koalicionit. Pra, u mbars mali dhe polli një mi.

 

Pyetja e natyrshme që buron nga ky lëmsh është: përse po bëhet gjithë kjo lojë, medemek politikë “e hollë”, që nuk është e vështirë të duket sa naive, aq edhe vulgare?

 

Në shoqërinë tonë shumë veprime e mosveprime të krerëve janë të vështira të shpjegohen. Dhe natyrisht as të kuptohen. Sepse u mungon strategjia dhe qëllimi kombëtar, ngaqë tradicionalisht bajraktarët shqiptarë drejtohen nga instikti i vetmbrojtjes, i frikës së humbjes së pushtetit, i ndëshkimit popullor.

 

***

Që ka ngërç dhe probleme serioze në koalicion, që mosmarrëveshjet mes Metës dhe Ramës nuk mbulohen dot me shoshë, as me takimet rutinore në zyrën e Metës e në ish vilën e Shehut, këtë e kanë pohuar disa herë nëpër ekrane zërat e skifterëve dhe puthadorëve të tyre mediatikë. Aq të dukshme janë këto qejfmbetje, kundërshti e mëri (sigurisht jo për platforma e alternativa qeverisëse, se sa për “kush je ti e kush jam unë”), sa mund të thuhet se brenda koalicionit duket sikur funksionojnë dy qeveri. Dy qeveri të lidhura në një “aleancë”, ku më  e vogla, ajo e Metës, për shkak të numrave të deputetëve, beson se qeveria Rama qëndron në pushtet falë LSI-së. Ndaj detyrohet të bëjë kokëfortin, për të rritur çmimin. E megjithatë LSI ndjehet e kërcënuar, e pasigurtë, e pakënaqur, pse jo edhe e rrezikuar nga dyshimet për “vetingun” dhe zgjedhjet e ardhshme. Pikërisht këtë “kafshatë” të hidhtë nuk e kapërdin dot Ilir Meta.

 

“Baba, e kapa hajdutin!”…

“Lëshoje!’…

“Unë e lëshoj, po nuk me lëshon ai”…

 

Asgjë më bukurfort se kjo legjendë urbane nuk e ilustron situatën e tanishme të këtij koalicioni qeverisës. Sepse sikur Rama të kishte 71 deputetë në dorë, padyshim që gjithçka do të rridhte krejt ndryshe. Padyshim që kryeministri nuk do të ishte kaq “fleksibël” me LSI-në. Sikur PD e Bashës të ishte më e konsoliduar, dmth më e favorizuar për zgjedhjet e reja, Meta nuk do të ishte kaq i pavendosur për të dalë nga koalicioni me Ramën. Po qe se do të ndryshojë kodi zgjedhor e të mos jetë ky që është (që detyron partitë e vogla të hyjnë në koalicion që të përfitojnë e mbijetojnë), LSI do të pranonte të hynte edhe vetëm në zgjedhje.

 

Janë këto “sikur”-e, shto edhe hijet e korrupsionit, të cilat e bëjnë skenën e teatrit politik kaq absurd, sa edhe Lu e Vlahutin bashkë me përpjekjet e “krokodilëve” të Brukselit ngjajnë si lojtarë të kapur në pozicion jashtë loje, për të mos thënë edhe qesharakë.

 

***

Nuk dihet cili ka qënë dhe është roli i ambasadorëve Lu e Vlahutin në këtë cicmic ballkanik, por e sigurt është që edhe ata, më shumë se ne qytetarët, janë në dijeni të “pazarit të prishur” e gërmërit mes dy krerëve. Janë në dijeni, po nuk i fryjnë zjarrit të ndarjes përfundimtare sepse hë për hë u leverdis “stabiliteti”, dmth miratimi me çdo kusht i reformës së drejtësisë dhe i shtatë ligjeve që e pasojnë. E më pas, le të bëhet qameti me arrestime e përjashtime të bujshme që pritet të bëhen lart, në kupolë.

 

Nuk ka dyshim që pas përfundimit të këtij procesi transformues, jo vetëm të organeve të drejtësisë, me siguri do të duket edhe sheshi, edhe mejdani. Në një klimë të tillë askush nga krerët e sotëm nuk mund të fshihet pas gishtit të vet. As pas hijes së partisë, as pas “historisë që u vjen pas” udhëheqësve “historikë”. Vetëm atëhere kanë për të dalë në pah e në dritë konfliktet, fytyrat e vërteta, të cilat nuk do të fshihen e mbulohen dot më me retorikë dhe kundërthënie, me sulme e kundërsulme. 

 

Po të zbatohet reforma, akuzat dhe shpifjet e hedhura në erë nuk do të kenë këtë inflacion që kanë sot. Siguristh edhe koalicionet kanë për të qënë më solide, të ngjizura me platforma dhe përgjegjësi.

 

Meqë vetingu do të ketë edhe vulën e ndërkombëtarëve, kësaj here shpresohet të mos funksionojë më ajo “sigureca” e vetmbrotjes që ka shpëtuar nga ndëshkimi jo vetëm Mziun e Kamzës, kur Drejtësia paralizohej me një deklaratë “dënimi u bë për arsye politike”.

 

Na është premtuar të besojmë se kur të hyjë në fuqi reforma e drejtësisë, hajduti nuk do të guxojë më të dalë nëpër ekrane e të deklarojë: Kapeni hajdutin! E vërteta është se ky “moral” na ka bërë të dukemi qytetarët më syleshë e më të keqpërdorur të rajonit.

 

Por deri atëhere, asgjë e re nuk ka për të ndodhur në koalicionin e “ngjalave” të pushtetit. Dhe natyrisht edhe të “hardhucave” të opozitës.

Të këshilluara

S’ka liri me Ilirin!

Pas afrimit të PD-së me LSI-në të përforcuar me miratimin e reformës në drejtësi, disa deputetë të partisë...

14:09

Ku janë aleatë Rama dhe Berisha

Pak ditë më parë pjesa më e madhe e mediave e raportoi ftohtë një komedi- tragjedi që u zhvillua në parlament mes dy baj...

16:05

ide

Një vjeshtë me atmosferë fund regjimi

Qoftë zarat e partisë së vet që i hedhin vickla, qoftë qytetarët që e fishkëllejnë në rrugë, qoftë prokurorët e trimëruar të SPAK që janë afuar në oborrin e tij apo gazetarët ndërkombëtarë që e barabisin me kumbarin tregojnë një gjë, se kurba politike e Edi Ramës ka prekur fundin. Rrëfimi i propagandës së tij tashmë ka mbaruar.

16:19 Andi Bushati

Keqkuptimi kryeministror mbi anti-korrupsionin

Fakti që asnjë institucion i administratës sonë publike nuk vuri re se u investuan miliona euro në inceneratorë fantazëm, se AKSHI kontrollohej nga një kriminel ordiner, se drejtorët e Bashkisë së Tiranës ia jepnin tenderat vetes, apo se drejtori i policisë dhe drejtoresha e SHISH punonin për Gysin, tregon se nuk kemi administratë publike dhe shtet

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

91.61

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI